E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: PD ka marrë 71 mandate. Çmendet Edvini, kërcënon me protesta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar dje rezultatet paraprake, thuajse në përfundim të procesit, duke konfirmuar shumicën e koalicionit të Berishës. Edvini çmendet dhe nxjerr fytyrën e vrerosur të partisë të kërcënojë me protesta. Synohet qartazi që të mos jepet llogari për humbjen, por në PS janë trazuar ujërat dhe kërcënimet nga Peza apo nga Salaria nuk emocionojnë më asnjeri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi mbrëmë rezultatet paraprake për ndarjen e mandateve në Kuvendin e ri të Shqipërisë, ku Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca e Ndryshimit”, rezultojnë fituese të zgjedhjeve, me 71 deputetë në parlament, kundrejt 65 të PS dhe koalicionit “Bashkimi për Ndryshim” dhe 4 të LSI. Pas publikimit të këtyre rezultateve, opozita, nëpërmjet Gramoz Ruçit, nxitoi të kërcënonte me mosnjohje të këtij verdikti të mundshme, duke paralajmëruar edhe protesta. Edvini çmendet ditën e datëlindjes së vet (ironi e fatit) dhe nxjerr fytyrën e vrerosur të partisë, Gramoz Ruçin që të kërcënojë me protesta. Deklarimet e tij të mbrëmshme ishin krejt në kundërshtim me ato të dy ditëve më parë, kur u premtua se gjithçka do të ndiqte rrugën ligjore. Po synohet qartazi që të mos jepet llogari për humbjen, por gjithsesi në PS janë trazuar ujërat dhe kërcënimet nga Peza apo nga Salaria nuk emocionojnë më asnjeri.

Rezultatet paraprake, PD-ja 71 mandate

Kryetari i KQZ, Arben Ristani, deklaroi se PD në bazë të përllogaritjeve të votave dhe ndarjes së mandateve në rang qarku, PD dhe koalicioni i saj kanë 71 deputetë në kuvendin e ardhshëm.

“Janë deklaruar numrat e votave të partive në çdo qark dhe i përkthyem dhe në mandate, ku Partia Demokratike dhe ‘Aleanca e Ndryshimit’ kanë 71 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. PD disponon 69 mandate deputetësh, 1 PDI dhe 1 mandat Partia Republikane. Nga ana tjetër PS dhe ‘Bashkimi për Ndryshim’, kanë në total 65 mandate në Kuvend, ndërsa LSI dhe “Aleanca Socialiste për Integrim”, me vetëm katër mandate deputetësh, në kuvendin e ardhshëm”, u shpreh Ristani.  

Më herët, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, në daljen e radhës në mbrëmje e djeshme, në një konferencë për shtyp, dha rezultateve paraprake për zgjedhjet e 28 qershorit. Ku edhe sipas tij rezultatet janë se “Aleanca e ndryshimit” ka siguruar 71 mandate. Sipas Ollit, koalicioni “Bashkimi për ndryshim”, ka siguruar 65 vende në Kuvendin e ri, ndërsa Aleanca Socialiste për Integrim 4 mandate.

Përmbyllet procesi i numërimit të votave

Gjatë një prononcimi për mediat, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, njoftoi se, tashmë ka përfunduar dorëzimi i materialeve zgjedhore, me përjashtim të një kutie votimi të KZAZ-së nr. 19 në Qarkun e Fierit. 

Sipas Ollit, kjo do të mundësonte dhe komunikimin e një rezultati paraprak për zgjedhjet e 28 qershorit nga ana e KQZ-së. 

Zëdhënësi KQZ-së Leonard Olli shprehet se “mund ta quajmë të përmbyllur procesin e numërimit të votave në VNV-të në të gjithë Republikën, me përjashtim të Patosit (KZAZ nr. 19), baza materiale e së cilës po transportohet drejt Tiranës. 

Ndërkohë, të gjitha KZAZ-të e tjera e kanë dorëzuar në KQZ bazën materiale zgjedhore, e cila është marrë menjëherë në dorëzim nga administrata e Komisionit”. 

Sipas zëdhënësit Olli tashmë tabelat përmbyllëse të KZAZ-ve po përpunohen në sallën operative të të dhënave, ku bëhet krahasimi i të dhënave të ardhura në rrugë elektronike me ato të ardhura dorazi dhe që janë tabela origjinale. 

Më tej shtoi se, në rast se do të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme edhe numërimi i votave të Fushë Kuqes ne do t’i hedhim këto të dhëna në data base tonin, dhe më pas do të kemi një komunikim me mediat për të dhënë tabelat e rezultateve.

Kryeson PD në katër kutitë e para në KZAZ-në nr. 39

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka numëruar pasditen e djeshme katër kutitë e Fushë-Kuqes, që i përkasin KZAZ-së nr. 39 në Qarkun e Lezhës. Pas numërimit të tre kutive të para paraditen e djeshme dhe pas një pushimi të Komisionit, grupi i numërimit i ngritur nga KQZ, në prani të anëtarëve të tij, verifikuan materialet zgjedhore, duke përfshirë këtu listat e zgjedhësve, firmat e tyre gjatë procesit të votimit, etj. Përfundimit të numërimit të kutisë së katërt të vijohet me dy kutitë e tjera dhe brenda ditës së djeshme të kemi dhe rezultatin për KZAZ-në nr. 39 të qarkut Lezhë. 

Rezultatet e dala nga numërimi i tre kutive të para paraditen e djeshme nxjerrin kryesuese PD-në dhe koalicionin e drejtuar prej saj "Aleanca e ndryshimit" me 688 vota, ndërkohë që PS, që udhëheq koalicionin "Bashkimi për ndryshim", ka fituar 319 vota. 

Numërimi nga KQZ i gjashtë kutive të KZAZ-së nr. 39 u vendos dje nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Rezultatet që do të dalin nga numërimi i tyre do t’i bashkëngjiten rezultateve të 53 kutive të tjera të Qarkut të Lezhës, duke nxjerrë kështu dhe rezultatet përfundimtare dhe mandatet shoqëruese për këtë Qark në veriperëndim të vendit.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›