E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Prizreni e Lipjani në rivotim, Gjilani në rinumërim

PRISHTINë- Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që të organizojë rivotim për balotazh në Prizren dhe Lipjan por jo edhe në Gjilan. Burime brenda KQZ-së kanë shpjeguar se anëtarët e këtij trupi kanë vlerësuar se diferenca mes kandidatëve në Gjilan është më e madhe se sa në dy komunat e tjera, prandaj një rinumërim i votave edhe mund të sqarojë fituesin atje. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta tha se: “U vendos që të bëhet rivotimi në dy komuna, pra në komunën e Prizrenit dhe të Lipjanit, ndërsa në komunën e Gjilanit të mos bëhet rivotimi, por së pari të bëhet hetimi dhe rinumërimi nga ana e KQZ-së. Pastaj, nga rezultati që do të arrihet, të vendoset a ka nevojë për rivotim, apo jo.” Vendimi i KQZ-së ka ardhur disa orë, pasi që Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, ka dhënë arsye shtesë rreth udhëzimit për rivotim për zgjedhje të balotazhit në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. Votimi për Prizrenin në KQZ përfundoi me 8 vota për, 2 kundër dhe një abstenim, ndërsa me 7 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim u vendos që të shpallet rivotim edhe në Lipjan.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›