E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Siguria e fletëve të votimit si në 2007- 2009

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot në parim vendimin "Për modelet e fletëve të votimit për zgjedhjet vendore të 8 majit".

Në mungesë të anëtarëve të opozitës, KQZ vendosi që për këto modele të ruheshin të njëjtat të dhëna teknike dhe të elementëve të sigurisë si ato për fletëvotimet e zgjedhjeve vendore të 2007-s dhe 2009-s, të miratuara në atë kohë me unanimitet nga të dyja palët.

KQZ ra dakord që të diskutojë në një mbledhje tjetër për ngjyrën e fletëve të votimit me qëllim lehtësimin e procesit të votimit për zgjedhësit.

Për zgjedhjet vendore votohet me dy kuti: një për kryetarin e bashkisë dhe komunës dhe një kuti tjetër për këshillat bashkiakë ose komunalë, ndërkohë që në kryeqytet ka katër kuti, pasi shtohen dhe kutitë për kryetar dhe këshilltar të minibashkive.

Nisur nga kjo numri i fletëve të votimit në zgjedhjet vendore është dy herë më i madh, se sa në zgjedhjet e përgjithshme dhe kjo ndikon dhe në rritjen e buxhetit të KQZ-së. 

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›