KQZ: Socialistët nuk kapën afatet për pavlefshmërinë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i bindur se vendimi për të mos gjykuar kërkesën e Partisë Socialiste, për goditje të rezultatit dhe pavlefshmëri të zgjedhjeve ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm. Edhe gjatë seancës së djeshme, drejtoresha juridike e këtij institucioni, Dëshira Pasko ka argumentuar se KQZ duke iu referuar pikërisht Kodit e gjeti kërkesën e socialistëve si jashtë kompetencës së saj për ta shqyrtuar. “Lidhur me kompetencën, KQZ konkludon se kërkesa duhet të paraqitet pranë kolegjit dhe jo pranë KQZ-së”, - ka këmbëngulur Pasko. Gjithashtu, ajo është shprehur se socialistët në kërkesën e tyre nuk kishin kapur as afatet kohore që përcakton ligji për bërjen e një ankimi. Sipas saj, afati për kërkesë ankimore për pavlefshmëri është ezauruar që në datë 26.5.2011, duke iu përmbajtur kështu bindjes se KQZ në datë 25 qershor nuk miratojë asnjë tabelë rezultati. “Mosplotësimi o kushtit ligjor për afat solli për pasojë edhe rrëzimin e kërkesës ankimore të PS, përsa i përket objektit për pavlefshmërinë e zgjedhjeve”, - tha Pasko, megjithëse në fund pranoi se vendimi 711 i KQZ-së, me anë të cilit u miratua tabela e rezultatit në maj, u rrëzua nga Kolegji.