Danimarkë, Topi mbyll vizitën
Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pati një vizitë pune në Qendrën Kërkimore e Studimore të Burimeve Alternative të Energjisë, ku u interesua dhe u njoh nga afër me punën e kësaj qendre në fushën aq të rëndësishme të energjetikës. Gjatë kësaj vizite u diskutua gjetja e burimeve alternative të energjisë, si dhe u piketuan mundësitë për të rritur e tërhequr investimet daneze në vendin tonë në këtë fushë. Gjithashtu, kryetari i shtetit vizitoi dje edhe Muzeun e Vikingëve në Roskilde dhe katedralen e kësaj qyteze, dy qendra të rëndësishme historike dhe fetare të Mbretërisë së Danimarkës. Kështu, Presidenti Topi përmbylli vizitën zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës, gjatë së cilës u shoqërua nga një delegacion i gjerë, i përbërë nga deputetë të Parlamentit shqiptar, drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të shoqatës mbarëkombëtare të ish-të përndjekurve dhe të burgosurve nga regjimi komunist, përfaqësues të biznesit shqiptar, anëtarë të kabinetit etj.