Pagat, Kushtetuesja rrëzon gjyqtarët e Krimeve të Rënda
Gjykata Kushtetuese: Ligji i ri siguron paprekshmërinë e pagës së gjyqtarëve. Rregullimet në përputhje me standardin kushtetues
Unioni i Gjyqtarëve ankimoi ligjin e ri me pretendimin se ulte pagat dhe krijonte pabarazi ndërmjet gjyqtarëve
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për të shfuqizuar një fjali në një nen në ligjin e ri për organizimin e pushtetit gjyqësor, e cila parashikon pagën bazë të gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë të Krimeve të Rënda.
Përfaqësues të gjyqtarëve kanë pretenduar se ligji i ri për organizimin e sistemit gjyqësor i miratuar në kuvend parashikon ulje pagash për gjyqtarët e shkallës së parë të Krimeve të Rënda, si dhe krijon diferenca të paarsyeshme ndërmjet pagave. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ata pretendonin se në ligjin e ri parashikohet ulja e pagës së gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, nga 60% të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, në masën 50 % të pagës së tij, dhe se kjo vjen në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës.
Në këtë nen sanksionohet se "Koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet e tjera të tyre nuk mund të ulen". Në vendimin e saj të bërë publik thuhet se se dispozitat ligjore mbi pagat nuk e kanë cenuar pagën që përfiton gjyqtari në detyrë, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Sipas Unionit të Gjyqtarëve, nëpërmjet rregullit përjashtimor të parashikuar në ligj janë krijuar diferencime të paarsyeshme në pagë ndërmjet gjyqtarëve të shkallës së parë të Krimeve të Rënda. "Për arsye se nga njëra anë gjyqtarëve në detyrë u ruan nivelin e mëparshëm të pagës prej 60 % të anëtarit të Gjykatës së Lartë, ndërsa gjyqtarët e rinj i paguan me 50 % të kësaj page",- citohet në kërkesën e tyre. Por kërkesa e këtij unioni, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë që për pretendimin për trajtim të pabarabartë, gjyqtarët nuk kanë arritur ta argumentojnë atë në një nivel kushtetues.
Argumentimi
Në vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese thuhet se ajo vëren se sistemi i ri i pagave i propozuar në ligjin nr. 9877, datë 18.02.2008 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", ka vendosur një nivel standard në kategorizimin e pagës së gjyqtarit, si dhe një vlerësim të kontributit të çdo gjyqtari duke u mbështetur në vitet e shërbimit. Sipas Gjykatës, në ndryshim nga sistemi i mëparshëm, ligji i ri ka vendosur diferencimin e pagës për tre nivelet e gjyqësorit, duke vendosur edhe një sistem shpërblimi të karrierës brenda çdo niveli.
"Mbi këtë bazë, është përcaktuar një sistem i tillë, ku shpërblimi për vjetërsi në punë, mbas një periudhe të caktuar, e rrit pagën e gjyqtarit me 2% në vit, duke vendosur si tavan pagën e gjyqtarit të nivelit më të lartë. Sistemi është i ndarë në tre nivele, ku paga maksimale në një nivel nuk mund të jetë më e lartë se paga më e ulët në nivelin tjetër",- citohet në vendim. Sipas Gjykatës Kushtetuese, rezulton se ligji i ri në nenin 26, pika 2 e ka ulur në dukje pagën bazë të gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda nga 60% e pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë në 50% të pagë së tij. "Gjykata vlerëson se një ndryshim i tillë në sistemin e pagave të pushtetit gjyqësor nuk prek në thelb pagën e gjyqtarit. Pikërisht, për shkak të ndërtimit të drejtë të sistemit të pagave të pushtetit gjyqësor, ligji ka parashikuar një shtesë prej 10 % mbi pagë për gjyqtarët e gjykatës së Krimeve të Rënda për shkak të kushteve të veçanta të punës, si dhe detyrimit për një nivel më të lartë page se në gjykatat e zakonshme",- thuhet në vendimin e saj.
"Dispozitat ligjore nuk kanë cënuar pagën"
Nisur nga koncepti kushtetues i paprekshmërisë së pagës së gjyqtarit, ligjvënësi në "Dispozitat Kalimtare" dhe konkretisht në nenet 43, pika 5 të ligjit objekt shqyrtimi ka parashikuar fillimin e efekteve financiare në datën 1 janar të vitit 2009, si dhe moscenimin e pagës aktuale të gjyqtarëve të gjykatës së Krimeve të Rënda si rrjedhojë e zbatimit të neneve 26 dhe 27 të ligjit.
Mbi këtë bazë, Gjykata vlerëson se dispozitat ligjore mbi pagat nuk e kanë cenuar pagën që përfiton gjyqtari në detyrë, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në këtë mënyrë, rezulton se paprekshmëria e pagës së gjyqtarëve, në kuptimin kushtetues, është siguruar dhe përfitimet e sigurimeve shoqërore e të pensioneve shtetërore suplementare, nuk janë ulur, përderisa si pagë referuese në kuptim të këtij ligji konsiderohet paga që ka gjyqtari në momentin kur i lind kjo e drejtë. Një rregullim i tillë është në përputhje dhe me standardin kushtetues të parashikuar në nenin 138 të Kushtetutës.
Lidhur me pretendimin tjetër të kërkuesit mbi trajtimin e pabarabartë që i bëhet nga dispozita ligjore objekt shqyrtimi, gjyqtarëve në detyrë dhe gjyqtarëve që do të mund të emërohen në të ardhmen, Gjykata thekson se kërkuesi nuk arriti ta argumentojë atë në një nivel kushtetues. Nisur edhe nga interpretimi i sipërcituar që bëri Gjykata mbi zbatimin e konceptit të paprekshmërisë së pagës vetëm për gjyqtarët në detyrë, në kuptim të nenit 138 të Kushtetutës, ky pretendim rezulton i pabazuar. Për rrjedhojë, kërkesa e paraqitur nga kërkuesi duhet të rrëzohet.