Familjarët e Xhindit: Shteti të zbardhë krimin
Tre muaj pas krimit të rëndë, policia dhe prokuroria nuk kanë dalë ende me një version për ngjarjen ose për autorët
FIER- Pothuajse tre muaj më parë në Roskovec të Fierit është vrarë deputeti socialist Fatmir Xhindi por edhe sot shteti nuk ka kryer asnjë veprim për të zbardhur krimin e rëndë. Prej më se dy muajsh strukturat policore dhe prokuroria kanë rënë në qetësi totale duke mos dhënë asnjë informacion për vrasjen. Familjarët e deputetit socialist janë interesuar shumë herë në polici por përgjigjja që kanë marrë ka qenë heshtja.
Sot familjarët e ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi, i vrarë më 2 Maj të këtij viti, kërkojnë nga shteti mos të harrojnë këtë krim të rëndë. Ata kërkojnë zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen sa më shpejt të autorit të krimit.
Familjarët kanë përsëritur dhe kujtuar edhe njëherë se angazhimi i strukturave të drejtësisë nuk është i mjaftueshëm. Të pakënaqur nga zvarritjet e hetimeve, familjarët shprehen se shteti duhet të kërkojë edhe ndihmën e Interpolit për kapjen e autorit të krimit. Ata janë shprehur edhe për qëndrimin në pritje të PS ku askush nuk e ka përmendur këtë ngjarje për rreth një muaj sa zgjati edhe fushata elektorale. Djemtë, nëna, vëllezërit, bashkëshortja dhe të afërmit e Fatmir Xhindit të mbledhur në një përkujtimore në shtëpi e Fatmirit thonë se në rast se shteti nuk është në gjendje të kapë autorin e ngjarjes, ata do te përdorin të gjitha mënyrat për të gjetur të vërtetën e kësaj ngjarjeje makabre, e cila tronditi mbarë vendin tonë.