E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Zgjedhjet në komunën Shalë po bllokohen qëllimisht

Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, tha se përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në këtë komunë nuk janë në nivelin e duhur, pasi KZAZ-ja nuk po kryen detyrat e parashikuara në kodin zgjedhor.

"Edhe pse PD dhe LSI prezantuan kandidatët për anëtarë të komisioneve të qendrave të votimit, KZAZ-ja nuk ka kryer emërimet e tyre, ndërkohë që dy subjektet e tjera, PS dhe PBDNJ, nuk i kanë paraqitur fare ata", deklaroi zëdhënësi Olli, duke shtuar se kjo është një përpjekje për bllokimin e zgjedhjeve në këtë komunë.

"Nëse komisioni zonal do të vazhdojë të operojë me këtë papërgjegjshmëri, në kundërshtim të hapur me ligjin, do të kemi moszhvillim të zgjedhjeve, ashtu sikurse ndodhi më 31 korrik, kur procesi nuk u zhvillua", tha Olli. Ai shprehu vendosmërinë e KQZ-së "për të mos toleruar në asnjë mënyrë moszhvillimin e zgjedhjeve në këtë komunë".

"Është e papranueshme që subjektet politikë dhe përfaqësuesit e tyre në KZAZ të sillen me këtë papërgjegjshmëri, duke e ditur se komuna Shalë po mban peng shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale dhe përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit", nënvizoi zëdhënësi.

Më 21 gusht KQZ vendosi përsëritjen e zgjedhjeve për kryetarin e Komunës Shalë në Shkodër, pasi votimet nuk u zhvilluan dot as në zgjedhjet e pjesshme të 31 korrikut, sikurse ishte përcaktuar, për shkak të incidenteve të krijuara mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-08-19 14:21
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›