E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, betimi para Kuvendit të enjten

 

Betimi i shtatë anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve para Kuvendit pritet të realizohet në seancën parlamentare të së enjtes. Në ora 11:00, të shtatë anëtarët e KQZ-së pritet të realizojnë betimin e tyre për detyrën e re që do të marrin përsipër. Ndërsa kjo procedurë bie ndesh me Kodin Zgjedhor, pasi dispozitat e këtij ligji kërkojnë realizimin e betimit brenda 24 orëve pas zgjedhjes së tyre. Në nenin 181 të këtij Kodi theksohet se “Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji ose nga shpallja e tij, sipas pikës 2 të nenit 84 të Kushtetutës, zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes”. Ndërsa në nenin 13 është përcaktuar edhe formula e betimit të shtatë anëtarëve. Përpara fillimit të detyrës, anëtari i zgjedhur i KQZ-së kryen betimin para Kuvendit, në një ceremoni publike. Teksti i betimit është: “Betohem në nderin tim, se do të angazhohem me të gjitha forcat e mia për realizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike në Republikën e Shqipërisë, do të siguroj dhe do të mbroj integritetin dhe fshehtësinë e votës, do të ruaj paanësinë në kryerjen e detyrës si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të tregoj profesionalizëm në kryerjen e saj”. Formulën e betimit pritet ta lexojë kryeparlamentarja dhe më pas 7 anëtarët duhet të deklarojnë: “Betohem”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›