Suedia: Zgjedhjet e lira kusht për trajtimin e Shqipërisë në BE
Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve do të ndikonte pozitivisht në trajtimin e aplikimit të anëtarësimit të Shqipërisë nga vendet evropiane. Kryetari i parlamentit të Suedisë, Per Westerberg ka theksuar dje gjatë takimeve në Tiranë rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit, lidhur me aplikimin për në BE. Në takimin me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, kreu i Parlamentit suedez cilësoi të suksesshme reformat kyçe të ndërmarra nga qeveria si dhe vuri theksin te procesi i ardhshëm zgjedhor. “Ministrja Bregu nënvizoi faktin se qeveria shqiptare, por edhe forcat e tjera politike në vend po punojnë për të krijuar strukturën e përshtatshme për të siguruar zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, thuhet në njoftimin e për shtyp të Ministrisë së Integrimit. Gjithashtu, kreu i parlamentit suedez u takua me Kryeministrin Berisha, i cili theksoi se maxhoranca ka bashkëpunuar ngushtë me opozitën për realizimin e reformës zgjedhore, ndryshimeve kushtetuese dhe reformës në sistemin e drejtësisë. “Kryeministri Berisha i shprehu z. Westerberg angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Kryetari i Parlamentit suedez u takua dje edhe me Presidentin Topi. “Kryeparlamentari suedez theksoi gjithashtu, rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e parlamentar si përsa i përket shkëmbimit të përvojave, ashtu edhe përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, kryerjen e suksesshme të reformave kyçe, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe arritjen e përmbushjen e standardeve integruese”, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.