Zbulohen pranë banesave katër arka me granata
SHKODER – Katër arka me granata dhe 5 predha kundërtank janë gjetur nga policia e Shkodrës mbrëmjen e së martës, të braktisura rrëzë një kanali. Rreth 21:30, policia është njoftuar se në lagjen Kiras, në periferi të qytetit të Shkodrës, aty ku dikur ndodhej ndërmarrja e Zooteknikës, ishin parë disa disa arka me municione luftarake. Menjëherë pas marrjes së informacionit në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë dhe një grup i antiterrorist. Ata kanë konstatuar në afërsi të një kanali, shumë pranë pranë zonës së banuar, se ishin hedhur katër arka me granata ofensive dhe difensive dhe 5 predha kundratanku. Ekspertët e policisë kanë pohuar se granatat dhe predhat nuk kanë qenë të aktivizuara pasi ndezësat nuk ndodheshin të montuara në to. Policia dyshon se këto municione mund të jenë braktisur nga personat që banojnë përreth, pasi ishin rrëmbyer më parë në repartin ushtarak që ka ekzistuar në këtë zonë, deri në vitin 1997. Ndërkohë burime nga policia bëjnë të ditur se arkat mund të jenë braktisur nga vetë personat të cilët më pas edhe kanë njoftuar policinë që t’i zhvendosë për në vende të specializuar për asgjësimin e tyre. Ky nuk është rasti i parë që në rajonin e Shkodrës gjenden municione armësh të kalibrave të ndryshëm të braktisura. Por që kryesisht ato janë zbuluar në afërsi të ish-reparteve ushatrake e pasi pronarët e tyre i kanë mbajtur për disa vite i kanë hedhur nga frika e kontrolleve të policisë ose nga frika e ndonjë tragjedie. Një pjesë e tyre janë bërë burim vdekjesh apo plagosjesh të rënda, në momentin kur janë gjetur nga fëmijët. r.d