KQZ çertifikon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve

Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka votuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8-majit. KQZ-ja, ka nisur mbledhjen e sotme, me debate, kur edhe anëtarët e PS-së kanë braktisur mbledhjen. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka kërkuar që të respektohet fjala e partive politike për të diskutuar.
“Nuk mund t`i ndërpresësh fjalën përfaqësuesit të opozitës. Do ju kërkoja ose të ndërprisni seancën e të rikthehemi, ose jepini fjalën përfaqësuesve të PS-së. Shumë keqardhje për këtë komunikim sepse kryetari me ligj nuk mund t`ia ndërpresë fjalën nënkryetaren. Ndodhem në mënyrë të papritur në këtë mbledhje të kësaj problematike. Nuk mund të ndodhte ndryshe nga i gjithë procesi zgjedhor, këtë pasqyroi edhe kjo mbledhje e fundit e thirrur nga ju për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Kuptova shumë mirë që ju nuk dëshironi që ne të themi fjalën për atë që ka ndodhur në procesin zgjedhor. Akti që kemi është një vendimarrje që do të marrë vëmendjen time siç kam bërë në çdo raund zgjedhjesh që janë bërë në Shqipëri”, u shpreh Subashi.
Nga ana tjetër, kryetari i KQZ-së, Ristani theksoi se debatet për zgjedhjet kanë mbaruar dhe ato nuk janë në rend të ditës. Sipas tij në rend të ditës është diskutimi në parim për aktin që është diskutuar. “Kam thirrur mbledhjen me rend të ditës shpalljen e rezultatit përfunditmar që do të votohet në dy faza. Ju lutem diskutime për parime, nëse do të diskutoni jashtë rendit të ditës do ju ndërpres fjalën”, u shpreh Ristani.