KQZ debat per studentet. Opozita Ata mund te perdoren politikisht
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në parim marrëveshjen e bashkëpunimit me Këshillin Kombëtar Studentor lidhur me edukimin dhe trajnimin e zgjedhësve studentë. Me 4 vota pro dhe 2 kundër, institucioni i drejtuar nga Arben Ristani i ka hapur rrugë një praktike e cila synon të parandalojë boshllëkun që mund të krijohet në qendrat e votimit dhe në Vendet e Numërimit të Votave. “Programet trajnuese që do të zhvillohen me studentët e të gjitha viteve, por kryesisht me studentët që kanë mbaruar studimet universitare të Nivelit të Parë dhe vazhdojnë studimet më tej, do të synojnë përfshirjen e tyre nga KQZ në administrimin e procesit zgjedhor”, thuhet në relacionin bashkëngjitur projektvendimit në fjalë. Kështu, përveç komisionerëve që propozohen nga partitë politike, KQZ krijon një fond njerëzor të kualifikuar, i cili mund të jetë pjesë e administrimit zgjedhor në një hallkë problematike të tij. Me gjithë referencën ligjore të shfrytëzuar për të përligjur këtë nismë, debatet dhe kundërshtitë nuk kanë munguar në mbledhjen e djeshme, e cila e ka shtyrë për sot diskutimin final të projektvendimit. “Në mbështetje të nenit 21, pika 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor, KQZ merr masa dhe organizon programe për edukimin zgjedhor të shtetasve, si dhe kryen trajnime jashtë periudhës zgjedhore për të gjithë të interesuarit dhe shpërndan dëshmitë përkatëse”, thuhet në pjesën arsyetuese të relacionit, që gjithsesi nuk ka mundur të eliminojë dyshimin dhe disponimin politik të anëtarëve të ndryshëm. Për përfaqësuesit opozitarë, Artan Laze dhe Pandeli Varfi, është e pranueshme që të zhvillohet edukimi dhe informimi, por jo trajnimi, për shkak se e drejta e caktimit të komisionerëve u përket partive politike. Për rrjedhojë, dalja jashtë këtij konteksti vlerësohet se u hap rrugë lojërave politike, të cilat mund të shfrytëzojnë kontingjentin e trajnuar që me certifikatën e trajnimit fiton të drejtën e pjesëmarrjes në grupet e numërimit. Kundërshtimi i anëtarëve opozitarë ka ndaluar në përdorimin e tyre për zgjedhje, pavarësisht të drejtës së KQZ-së për të vënë në dispozicion të vetes kontingjentin e njerëzve të trajnuar. “Ne jemi dakord që të trajnohen të gjithë studentët apo njerëzit e interesuar, por jo për të qenë si anëtarë rezervë të GNV apo QV-ve. Vërtet ka një vërejtje të OSBE-së lidhur me këtë çështje, por ky nuk ka qenë një problem i vërtetë për procesin zgjedhor të shkuar. Për më tepër që edhe nga pikëpamja formale, projekti i sjellë është identik me atë të përdorur për zgjedhjet parlamentare të 2009-s, pra edhe nga administrata e KQZ nuk ka pasur një përgatitje serioze për këtë gjë”, tha anëtari i KQZ-së, Artan Laze. Ai ka ngritur edhe disa çështje me karakter ligjor në projektvendimin në fjalë, që për vështrimin e përfaqësuesve opozitarë vjen i pambështetur në aspektin juridik. Kështu, në Kod flitet për zëvendësimin e anëtarëve të KZAZ, dhe sërish janë partitë politike ato që kanë të drejtën e caktimit të emrave të rinj. Një element me rëndësi në këtë drejtim është edhe fakti se marrëveshja adreson si prioritet edhe edukimin e studentëve – zgjedhës që votojnë për herë të parë, një nismë kjo që mund të sjellë ndryshime cilësore në procesin e ardhshëm elektoral.
Ndërkohë, fushata elektorale duket të jetë në fazë konkrete për KQZ, edhe pse për partitë politike mbetet ende një axhendë e vitit të ardhshëm. Kështu, dy ditë më parë, institucioni i drejtuar nga Arben Ristani ka miratuar strategjinë e edukimit zgjedhor të shtetasve, e cila konsiderohet si një “dokument bazik” për informimin e qytetarëve për procesin e votimit. “Qëllimi më specifik i strategjisë është gjetja e formave sa më bashkëkohore të komunikimit me shtetasit që gëzojnë të drejtën e votës, dhe jo vetëm...Ky fakt do të ndihmonte në rritjen e pjesëmarrjes në votim, rritjen në cilësinë e votimit, shmangien e gabimeve gjatë procesit për arsye mosnjohjeje apo dhe të fenomeneve negative që vihen re gjatë procesit zgjedhor në tërësi”, thuhet në vendimin e marrë.