E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy plumba rivalit te Bandes se Burrelit

Hakmarrja Ekzekutohet Halit Dedja. Historia e policit të krimit, që u kthye në biznesmen

Rivali i fundit i Bandës së Burrelit, i cili kishte nisur një jetë të qetë pas një sërë dyshimesh për vrasje, është ekzekutuar mëngjesin e djeshëm me dy plumba pas koke. Biznesmeni burrelas, Halit Dedja, i cili kohët e fundit kishte ndryshuar emrin për t’iu fshehur hasmit, është ekzekutuar sapo ka dalë nga banesa e tij në Tiranë. Shumë pak veta e dinin se ai kishte marrë një shtëpi në Tiranë, pasi kishte hapur shoqërinë “Memorial security” për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve private, por edhe të personave të ndryshëm. Historia e Halit Dedes është ajo e policit të hetimit të krimeve, i cili u kthye në një faktor krimi, pasi i vranë vëllezërit dhe babanë. 45-vjeçari u shkëput nga policia dhe mendohet se kishte formuar bandën “Dedja”, që mendohet se është përplasur disa herë me bandën “Kola”, e cila drejtohet nga Admir dhe Gentjan Doda, dy vëllezër nga Burreli, një i arrestuar në Londër dhe një tjetër në kërkim.

Babai i dy fëmijëve, i njohur në Burrel si Halit Dedja, ndërsa në Tiranë si Donald Dedja, ka dalë dje nga makina e tij, që e kishte parkuar pranë një tjetër makine në pronësi të vet. I veshur me xhins dhe një xhup lëkure, sapo ka bërë vetëm pak metra në trotuar, është qëlluar me dy plumba pas koke. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.00, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë ish-uzinës “Enver” në Tiranë, ndërkohë që disa dëshmitarë kanë dëgjuar edhe krisma. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 2, ato të seksionit kundër vrasjeve, por edhe drejtues të hetimit të krimeve të rënda. Shumë shpejt është identifikuar viktima Halit (Donald) Dedja, i cili mendohej se kishte një të shkuar kriminale, që dyshohet se ka lidhje edhe me ekzekutimin e tij.

Halit Dedja, në vitin 1997 punonte si oficer policie për hetimin e krimeve, por në atë kohë, i vranë vëllanë. Kjo e rëndoi emocionalisht punonjësin e policisë, i cili edhe për pak kohë punoi pranë FNSH-së. Në këto kushte, ai la punën dhe mendohet se këtë veprim e kreu për t’u hakmarrë. Gjatë kalimit të viteve, atij i vranë vëllanë tjetër dhe babanë, duke mbetur i vdekur. Në Burrel ndërtoi një shtëpi të rrethuar mirë dhe mendohet se ishte kreu i një grupi kriminal. Në emër të tij mendohet se janë kryer shumë krime në Burrel, në shenjë hakmarrje për familjen. Policia shprehet se ai ka qenë i dyshuar për shumë vepra penale, por asnjëherë nuk i janë vërtetuar. Përplasjet e tij më të mëdha mendohet se i ka pasur me bandën “Kola”. Kjo është një nga bandat më famëkeqe në qytetin e Burrelit e krijuar në vitin 1997. Drejtuesi kryesor i këtij grupi kriminal është Admir Doda dhe miku i tij Rezart Llukovi. Sipas policisë, dy shokët akuzohen për një seri vrasjesh. Admir është arrestuar në Angli në vitin 2009, por vëllai i tij, Gentian Doda, vazhdon të jetë në krye të listës së Interpol Tiranës, si i kërkuar për vrasje. Për të, policia mendon se ka qenë disa herë në Shqipëri, e madje i shtyn dyshimet për lidhje të tij me vrasjen e djeshme në mes të Tiranës.

Halit Dedja, prej pak vitesh, mendohet se ishte shkëputur nga bota e errët dhe i kishte hyrë biznesit. Fillimisht ka hapur një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, në emër të të birit, duke e quajtur “Don-Hulk”, ku Hulk është emri i të birit. Kjo shoqëri merrej me import, eksport, grumbullim, seleksionim dhe përpunim skorie ferrokromi. Gjithashtu, shoqëria kishte licencë për ndërtim dhe për pastrim-gjelbërim të qytetit. Veç saj, në Tiranë hapi një muaj më vonë, pikërisht në vitin 2008, subjektin “Memorial security”, shoqëri sigurie private. Sipas policisë, vrasja e djeshme mendohet se ka të bëjë me të shkuarën e tij për hakmarrje, megjithëse nuk përjashtohen edhe pista të tjera. Sipas të dhënave, me vete i është gjetur një pistoletë “neuro-paralizuese”, ndërkohë që në një nga makinat e tij i është gjetur “Shot gun”, që e kishte me leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›