E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Premtojmë liberalizim vizash

Zëvendëskryeministri Genc Pollo vazhdoi turin e tij elektoral në komunat e Beratit. Pas publikimit të listës zyrtare të kandidatëve të Partisë Demokratike, deputetët aktualë, por edhe kandidatët e përfshirë në listë, kanë filluar intensivisht fushatën. Edhe pse ajo hapet zyrtarisht më 28 maj, partitë politike nuk e kanë pritur afatin zyrtar, por kanë rendur menjëherë pranë bazës së cilës i afrohen vetëm për raste zgjedhjesh. Zv/kryeministri Pollo bëri një bilanc të punës 4-vjeçare të qeverisë së tij dhe premtoi se vëmendja e kabinetit blu do të përqendrohet te shëndetësia dhe arsimi gjatë katër viteve të ardhshme. "Premtuam se do të dyfishojmë rrogat e pensionet dhe e mbajtëm fjalën. Premtuam se do të jemi anëtar të NATO-s dhe e mbajtëm fjalën. Premtuam se do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat dhe e mbajtëm fjalën", tha Pollo, duke shtuar se në mandatin e ardhshëm, shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza në Evropë. Për Qarkun e Beratit, në listën e kandidatëve për deputetë janë: Genc Pollo, Mehmet Xheka, Lefter Maliqi, Thoma Rumiçi, Bujar Hoxha, Miranda Haxhia, Dhori Kule dhe Ebie Poni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›