KQZ, diskutime për rezultatet e tabelave të KZAZ-ve

Rezultati për Tiranën mbledh sërish anëtarët e KQZ-së, të cilët po diskutojnë për rezultatin e tabelave të KZAZ-ve dhe ankimimet e partive përkatëse. Me tone të ashpra, drejtuesit po shqyrtojnë të gjithë këtë procedurë, ndërsa jo më pak, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste ka shprehur objektivat kyce. Genci Gjoncaj deklaroi se në bazë të ligjit, fletët ndahen në të kontestueshme dhe në jo të kontestueshme. Kjo kishte të bënte me të gjithë fletët, të cilat janë votuar për kryebashkiak dhe janë gjendur në kutinë e gabuar, konkretisht në kutitë për kryetar minibashkie. Për të, këto “çudira”, sikurse e cilësoi ai, ndodhin në ato KZAZ, ku kanë shumicën pala tjetër. Gjonçaj ngriti shqetësimin se votat për kryebashkiakun të gjetura në kutinë e kryetarit të minibashkisë, duhet të konsiderohen të pavlefshme dhe të mos rivlerësohen.
“Procesi për kryetar bashkie është i përfunduar”, ngulmoi Gjonçaj, duke i kërkuar kryetarit të KQZ-së Ristani, të përfundojë shpalljen e fituesit të garës elektorale për Bashkinë e Tiranës.
Gjoncaj denoncoi atë që ai e quajti një absurditet, kur tashmë është përfunduar numërimi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, përfaqësuesit e PD dhe LSI në KZAZ-në numër 49, që përkon me njësinë 5, pengojnë përfundimin e procedurave dhe shpalljen e rezultatit.
“Cështja e Tiranës, është problem i atyre që pranojnë apo nuk pranojnë rezultatin në Tiranë. Kam depozituar një kërkesë në KQZ. Bëhet fjalë për një situatë absurde dhe të patolerueshme në KZAZ-në 49. Kjo KZAZ nuk ka përfunduar tabelën. Bllokohet procesi nga komisionerët që nuk pranojnë të certifikojnë atë cka është numëruar”, theksoi më tej Gjonçaj.
Kjo kërkesë u hodh poshtë nga kryetari i KQZ-së, Ristani i cili tha se KZAZ-ja është kompetente për të manaxhuar punën në qendrën e numërimit. Për cdo ankesë, subjektet e interesuara duhet të cojnë ankimim në KQZ.
Ndërkaq, përfaqësuesit e PD-së kërkojnë që këto fletë të kontestuara të lexohen, ndërsa përfaqësuesit socialistë kërkojnë që këto vota të nxirren të pavlefshme.