KQZ do rivlerësojë fletët e hedhura gabim, rezultati pas numërimit total
Fletët e votimit për kryetar bashkie të Tiranës, të gjetura në kutitë e tjera të votimit, për kryetar dhe këshilltarë të njësive minibashkiake, do të vlerësohen si të ligjshme dhe do të pasqyrohen në rezultatin final. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të tentojë sot, për herë të dytë, të miratojë një akt të veçantë ku parashikohet që të gjitha votat e gjendura në kutitë e tjera dhe që janë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, të cilat gjatë procesit të numërimit janë konsideruar si të kontestueshme, të vlerësohen si të rregullta dhe të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse të rezultateve. Një akt, ky që në rast se do të miratohet, do të bëjë të mundur që të ndryshojë dhe rezultatin e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës, të dalë nga numërimi i 485 kutive të votimit.
Debati
Futja e këtij akti në rendin e ditës së mbledhjes së KQZ, gjatë ditës së djeshme, ka hapur një debat të ashpër mes përfaqësuesve politikë dhe kreut të KQZ-së, Arben Ristani. Ka qenë ky i fundit ai që duke marrë fjalën në çështjet jashtë rendit të ditës ka bërë të ditur se disa KZAZ që veprojnë në Tiranë kanë shfaqur shqetësim, lidhur me fatin e fletëve për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe të gjetura në kuti të tjera votimi. Për këtë arsye, ai ka urdhëruar administratën që të përgatisë një akt të posaçëm për këtë çështje. Por ky urdhërim ka ngjallur reagimin e ashpër të përfaqësuesve të opozitës, të cilët teksa janë shprehur se kjo është e paligjshme, i kanë bërë thirrje atij që të mos e ndërmarrë këtë hap, pasi po rrezikonte shumë. Ndërkohë që nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ka njoftuar KQZ-në se në bazë të Kodit, ajo sëbashku me anëtarin tjetër, Artan Lazaj, kishte thirrur një mbledhje të komisionit për të miratuar tabelën përmbledhëse të rezultateve.
Akti
Pas një pushimi të shkurtër, drejtoria juridike e KQZ-së shpërndau për anëtarët një projekt-vendim, i cili pasi parashtronte situatën e krijuar, si pasojë e kërkesave të KZAZ-ve, me drejtim dhe shumicë të djathtë, vlerësonte se KQZ në bazë të Kodit kishte kompetencën e duhur për të marrë rolin e KZAZ-së dhe për të rivlerësuar këto vota. “KQZ duhet të vlerësojë këto fletë votimi dhe të vendosë se për cilin prej kandidatëve apo subjekteve për Bashkinë e Tiranës do të llogariten këto fletë votimi. Ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake, në mënyrë që të evidentohen të gjitha fletët e votimit, të cilat janë hedhur në kutinë e gabuar”, - thuhet në këtë projekt-vendim. Për rrjedhojë, në këtë akt parashikohet gjithashtu se për të përfshirë këto vota në tabelat e rezultateve, për çdo qendër votimi që i përkasin, duhet të shtyhet procesi i përpilimit të tabelës përmbledhëse të rezultateve, për kryetar të Bashkisë së Tiranës. “Pranë KQZ-së kanë ardhur tabelat përmbledhëse nga KZAZ-të, dhe KQZ duhet të hartonte tabelën përmbledhëse për njësinë zgjedhore Bashkia e Tiranës, por tashmë ky proces nuk mund të bëhet pa u vlerësuar edhe këto vota.
Në këto kushte, KQZ duhet të pezullojë procesin e hartimit të tabelës përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës, deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave nga KZAZ-të për kryetarin dhe këshillin e njësive bashkiake”, - bëhet e ditur më tej në këtë projekt-akt.