Tension në njësinë 9, gjenden tetë fletë të tjera për kryetarin
Konflikti politik për fletët e gjetura në kutitë e gabuara ka vazhduar paralelisht dje si në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ashtu edhe në KZAZ-të ku vazhdon numërimi për kryetarët e njësive bashkiake. Një konflikt mes përfaqësuesve socialistë dhe atyre demokratë është shënuar dje në KZAZ-në 53, në vendin ku vazhdon numërimi i votave për kryetarin e njësisë 9. Gjatë ditës së djeshme, në procesin e numërimit janë gjetur 8 fletë votimi për kryetarin e bashkisë së Tiranës, ç’ka ka ndezur debatin në këtë KZAZ. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë KZAZ kanë kërkuar kalimin e këtyre fletëve të votimit në skaner, për t’i cilësuar më pas si të kontestuara, kërkesë që është rrëzuar nga përfaqësuesit në shumicë të PS-së në këtë qendër të numërimit të votave. Pas mungesës së kompromisit mes përfaqësuesve të dy forcave kryesore politike, kjo çështje është ankimuar dhe pritet të merret një vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo pasi në këtë KZAZ nuk është marrë një vendim unanim, edhe pas leximit të nenit 94/4 të Kodit Zgjedhor, ku flitet për kalimin e fletëve të votimit në skanerin e leximit të votës. Procesi i numërimit të votave për kryetarët e njësive bashkiake ka shtuar fletët e votimit, të hedhura gabimisht në këto kuti nga votuesit. E ndësa debati për vlefshmërinë ose jo të tyre vazhdon, i mbetet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë një vendim për përfshirjen e këtyre votave në rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës.