KQZ e re, ish-kryetari Gjata bojkoton ceremoninë e konstituimit
Ish-kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata bojkoton ceremoninë e konstituimit të institucionit të ri zgjedhor. Bashkë me të nuk morën pjesë as ish-anëtarët e tjerë të KQZ-së, si Fatmir Kumbaro dhe Dodë Prenga. Të mos rizgjedhur në këtë institucion, kjo duket se ka lënë shije të hidhur, aq sa nuk kanë pranuar ftesën e bërë nga kreu i ri KQZ-së, Arben Ristani për të marrë pjesë në këtë eveniment të ri. Në këtë takim ishte parashikuar që të zgjidhej dhe nënkryetari i KQZ-së e më pas të zhvillohej një koktej përmbyllës për startimin e ri të punës së KQZ-së. Ndërsa nuk kanë munguar në këtë ceremoni ish-anëtarët Flamur Çato, Gent Shala dhe Shkëlqim Hysi. Sipas burimeve zyrtare të KQZ-së, të gjithë ish-anëtarët ishin thirrur në këtë institucion. Tre anëtarët e rinj Vera Shtjefni, Artan Lazaj dhe Hysen Osmanaj kanë qenë më të emocionuar, pasi për herë të parë paraqiteshin përpara mediave. Në këtë ceremoni, të pranishëm kanë qenë përfaqësues të partive politike, Kuvendit e OSBE-së. Mbledhjen e ka hapur kryetari Arben Ristani, i cili ka bërë të ditur se zhvillimi i zgjedhjeve të lira mbetet një sfidë. Gjithashtu, ai ka bërë prezent edhe kohën e shkurtër në arritjen e këtyre standardeve, duke kërkuar edhe ndihmën e partive politike. “Do të dëshiroja të vija në dukje edhe njëherë faktin se, përtej të gjitha përpjekjeve të institucionit tonë, për të realizuar këtë detyrë, është e domosdoshme të kemi dhe vullnetin e duhur politik. Subjektet politikë janë faktorë dhe aktorë mjaft të rëndësishëm në procesin zgjedhor, pra rrjedhimisht fryma dhe klima e besimit reciprok mbeten parametra thelbësorë për realizimin e çdo procesi zgjedhor konform të gjitha standardeve”, deklaroi Ristani. Më pas ka nisur procesi i zgjedhjes së nënkryetarit të KQZ-së, ku Dëshira Subashi në përballjen me Artan Lazajn për këtë post ka marrë 5 vota. Lazaj mori dy vota pro nga ky votim. Sipas ligjit Zgjedhor, posti i nënkryetarit të KQZ-së i takon anëtarëve të propozuar nga PS-ja, si partia më e madhe e opozitës.