E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton pyet Berishën për “Dosjet”

 

ADI SHKEMBI

SHBA interesohet sërish për zbatimin e ligjit të Lustracionit në Shqipëri. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton ka pritur në zyrën e saj Kryeministrin Berisha, ku një ndër temat ka qenë pikërisht ligji i kontestuar shumë nga komuniteti ndërkombëtar. Në përfundim të këtij takimi zv/ndihmësi i Sekretares së Shtetit Stuart Jones konfirmoi, se Klinton ka pyetur kryeministrin “Për ligjin e dosjeve” dhe prej tij ka marrë garancinë, se ligji nuk do të përdoret për të luftuar kundërshtarët. “Ndërsa Sekretarja Klinton shprehu entuziazmin e saj për pranimin e Shqipërisë në NATO. Çështja e ligjit të Lustrimit u ngrit në takim, Sekretarja Klinton pyeti për të dhe Berisha e siguroi atë, se nuk do të ketë një gjueti shtrigash, por do të ndiqen të gjitha proceset kushtetuese dhe qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë proces. Ne nuk i bëmë ndonjë sugjerim Kryeministrit lidhur me këtë ligj, por ai vetë na dha sigurimet, të cilat ne i mirëpresim”, tha Xhons në përfundim të takimit. Nga ana e tij Kryeministri Berisha theksoi se: “I sigurova Sekretares së Shtetit dy gjëra, së pari, nuk mund të përdoret dhe nuk do të përdoret për gjueti shtrigash kundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, çdo gjë do të zhvillohet sipas rregullave të shtetit ligjor. Këto ishin sigurimet e mia që i dhashë Sekretares në një mirëkuptim të plotë dhe se asnjë lloj zgjidhje përveç zgjidhjeve ligjore nuk mund të imagjinohet në këtë rast”. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë tha se çdo qytetar, që preket nga ky ligj do t’i drejtohet tre shkallëve të sistemit gjyqësor si dhe Strasburgut. Në takim është folur edhe për zgjedhjet e 28 qershorit. Berisha bëri të ditur se garantoi sekretaren Klinton për predispozitën e qeverisë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, madje kërkoi vëzhgues për monitorimin e tyre. Kreu i ekzekutivit u shpreh i gatshëm për rritjen e pranisë së trupave shqiptare në Afganistan, si dhe përshëndeti vendimin e Presidentit Obama për mbylljen e Burgut të Guantanamos. Berisha ishte Kryeministri i parë, që takoi Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit shtroi një darkë për zyrtarët e lartë të administratës amerikane dhe personalitete politikë të Uashingtonit. Në darkë mori pjesë edhe senatori Riçard Lugar, një mbështetës i hershëm i çështjes shqiptare. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh se: “Shqipëria tashmë ecën e sigurt në proceset e saj integruese, në reformat në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformat e saj ekonomike., duke e ndryshuar imazhin e Shqipërisë dita-ditës dhe rolin e saj në rajon dhe duke e shndërruar së shpejti, atë në një anëtare të denjë të Aleancës së Atlantikut të Veriut”. Nga ana e tij senatori Lugar e vlerësoi të përkryer aplikimin e programit të tij “Nunn-Lugar” për shkatërrimin e armëve kimike dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në këtë program. Sipas zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, ai vlerësoi reformat e qeverisë Berisha për integrimin e sigurt të Shqipërisë në NATO, si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria Berisha, ndërsa shprehu vendosmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Kreu i qeverisë u takua dje edhe me senatorin Xhon Isakson, me gjeneralin Uesli Klark dhe Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të zv/presidentit të SHBA-së, Antony Blinken.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›