Ndërhyrja në veri bën bashkë Albin Kurtin e Thaçin
Veprimi radikal i qeverisë së Kosovës, e cila ka dërguar forcat speciale për të marrë dy pika kufitare në veri, i ka pëlqyer edhe Albin Kurtit. Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar të arsyeshëm dhe të drejtë vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të dy pikave doganore në veri, duke thënë se Qeveria nuk duhet të zmbrapset, por duhet të bëjë përpara në vënien e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës. Me anë të një komunikate për shtyp, Vetëvendosja shprehet se vendimi për moslejimin e mallrave serbe në Kosovë praktikisht do të ishte i pamundur pa marrjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31. Lëvizja Vetëvendosje u bën gjithashtu thirrje institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës që të jenë vigjilentë dhe të mos zmbrapsen në hapin e ndërmarrë nga Qeveria. Lëvizja ka kërkuar që të ofrohet mbështetje e plotë për Policinë e Kosovës.