E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ i kthen listën e PS-së

 

Aristir Lumezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ktheu listën e Partisë Socialiste dhe pranon atë të Partisë Demokratike. Ne mbledhjen e djeshme, KQZ vendosi me 7 vota pro që lista e deputetëve të Partisë Socialiste të ndryshojë sërish, pasi në Qarkun e Lezhës nuk është plotësuar kriteri i domosdoshëm ligjor sipas të cilit minimumi i gjinisë femërore duhet të jetë 30%. “Lista e PS-së ka një mangësi tek Qarku Lezhë për shkak të kriterit të 30 %, ndaj duhet ta kthejmë për plotësim. Besoj se brenda ditës së hënë më së shumti të martën kjo mangësi do të plotësohet nga PS”, u shpreh kryetari i KQZ-se Arben Ristani. Deri ditën e mërkurë, kur mbaron dhe afati ligjor i KQZ-së për miratimin e të gjitha listave të kandidatëve të partive politike, partitë e skualifikuara duhet të plotësojnë dokumentacionin e munguar. Ndërkaq, KQZ ka kaluar si të rregullta listat e 140 kandidatëve të Partisë Demokratike edhe pse nuk munguan debatet mes përfaqësuesve të partive kundërshtare. Në disa qarqe, kryesisht të vogla të veriut, lista e PD-së plotësohej me kandidate femra me emra që kalonin pragun e mandateve. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj e konsideroi këtë veprim jo korrekt, pasi partitë nuk mund të paraqesin më shumë kandidatë në lista nga sa është numri i mandateve të deputetëve në atë qark. Në këtë mënyrë sipas tij, PD rregullon në mënyrë artificiale përbërjen e grave në këto lista, duke lënë në vendet e para të listës vetëm kandidatë burra. Ky veprim i PD-së nuk është konsideruar si shkelje e ligjit, pasi sipas kryetarit të KQZ-së Kodi Elektoral nuk e përjashton një gjë të tillë. Dy ditë më parë, komisioni ka pranuar lista kandidatësh të partive të vogla ku përqindja e grave në to nuk i kalonte të 28 përqindëshin. Dy ditë më parë Partia Socialiste akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po bëhej palë me Partinë Demokratike duke dalë nga roli i “arbitrit” për të hyrë në atë të “xhelatit”. Gjatë paradites së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së, ndërsa ktheu për rregullim atë të G99, PSV 91, Ligj dhe Drejtësi, PBDNJ. Shkaku kryesor i mosmiratimit të listave të këtyre partive ishte mosrespektimi i 30 % të grave në lista, ndërsa shumë parti kishin dokumentacion të mangët, pasaporta të skaduara të kandidatëve dhe mungesa në plotësimin e formularëve.

Lista e partive që u kthyen

Partia Socialiste
G99
PSV 91
Partia Socialdemokrate
Partia Republikane
PBDNJ
PRDSH
Ligj dhe Drejtësi
LDK
Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
Toleranca e Re Shqiptare
Partia Ora e Shqipërisë
Aleanca Maqedonase për Integrim
Partia Konservatore
Partia Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut
Balli Kombëtar Demokrat
Partia Forca Albania
Partia për të drejtat e mohuara e re
Partia rruga e Lirisë
Partia Demokristiane
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›