PS: Jo zgjedhje me 300 mijë votues pa karta
PS dha ultimatum dje se nuk mund të ketë zgjedhje me 300 mijë shtetas pa pasaportë, që nuk mund të marrin kartat e identitetit. Sekretari për Çështjet Elektorale, Kastriot Islami hodhi dyshime për abuzime me listat e votuesve pa pasaportë më 28 qershor kur do të votohet për zgjedhje parlamentare. Islami i bëri thirrje publike kryeministrit përmes pesë pikave që të vërë në dispozicion të komisionit ad-hoc e OSBE-ODIHR këtë listë. “PSSH nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa gjetur një zgjidhje për këta votues, duke përjashtuar njëkohësisht shtyrjen e zgjedhjeve. Këtë zgjidhje duhet ta japë qeveria sot, përsëris sot, sepse pasi dështoi në pajisjen me letërnjoftimi nuk mund të përdorë si alibi nenin në Kodin Zgjedhor se nuk ka asnjë mënyrë tjetër identifikimi përveçse me pasaportë apo letërnjoftimi”, tha Islami. Sekretari socialist i kërkon qeverisë të gjejë një mënyrë për të pajisur këta zgjedhës. “I bëj kështu sot ministrit dhe qeverisë kërkesën e tretë publike për të gjetur zgjidhjen për të gjithë ata që do të mbeten pa mjet identifikimi në 12 qershor 2009 ose të pranojnë publikisht dështimin për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Islami. Partia Socialiste është e shqetësuar se një potencial elektoral prej 300 mijë votuesish, të cilët i përkasin kategorive të varfra, nuk kanë mundur të marrin karta identiteti dhe nuk kanë as pasaportë, dy dokumentet me të cilat mund të votohet në 28 qershor. “Mbi 270- 300 mijë shqiptarë në listën e votuesve nuk do të mund të votojnë. Ky do të jetë përfundimi tragjik i synimeve të mbrapshta dhe taksës së votës së vendosur për këto zgjedhje nga kryeministri Berisha”, tha Islami. Sekretari socialist akuzoi qeverinë se procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti dështoi. “Siç e kishim parashikuar procesi rezultoi krejtësisht i dështuar për shkak të mekanizmit të gabuar dhe të komplikuar të miratuar nga qeveria në mënyrë të njëanshme dhe që nuk mori në konsideratë as heqjen e taksës së votës dhe as propozimin për një mekanizëm të thjeshtë one stop shop”, tha Islami. Partia Socialiste mendon se paaftësia e qeverisë për të menaxhuar procesin e pajisjes së shtetasve pa pasaportë me karta mund të fshehë dhe një skenar për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Mungesa e transparencës për kërkesat e PSSH dhe faktet e mbrëmshme na shtyn të pohojmë se prapa paaftësisë dhe mungesë së vullnetit qëndron edhe një skemë e manipulimit të sofistikuar për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve përmes heqjes së mundësisë së votimit të 10 për qind të votuesve në listën e zgjedhësve”, tha Islami. Socialistët duket se në ditët në vazhdim do të marrin një vendim rreth qëndrimit të tyre për zgjedhjet e 28 qershorit në kushtet kur 300 mijë zgjedhës pa pasaportë nuk kanë mundur të pajisen me karta identiteti. “Pas pak ditësh do të bëjmë analizën e fundit të këtij procesi. Por edhe deri tani na rezulton se procesi ka dështuar për shkak të paaftësisë dhe njëkohësisht të mungesës së vullnetit. PSSH përsërit nuk do ta lejojë këtë gjë. Nuk do të ketë zgjedhje farse në Shqipëri”, tha Islami.