E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ-ja, debate në Kuvend, PD-PS akuza të ndërsjella për manipulimin e zgjedhjeve

TIRANË - Kuvendi po vijon diskutimet lidhur me kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane., Klement Zguri ose Patriot Çoba. Kërkesa, e miratuar një javë më parë nga Komisioni i Ligjeve, kundërshtohet ashpër nga opozita, e cila e konsideron një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike. Sipas deputeteve të PS-së, kryeministri Berisha kërkon mazhorancen në KQZ, pasi tenton të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Nga ana tjetër shumica argumenton se me largimin e LSI-së nga koalicioni i djathtë u përmbysën raportet në KQZ dhe për pasojë edhe në komisionet e tjera të nivelit të dytë, gjë që sipas saj, e kalon nën kontrollin e opozitës të gjithë procesin zgjedhor, duke paralajmëruar manipulime.
Seanca e sotme e Kuvendit pritet në fakt të jetë e gjatë, pasi janë regjistruar për diskutim 120 deputetë. 

PALOKA: RAMA KERKON TE MARRE PUSHTETIN NE TAVOLINE
Ora 12:30 - Deputeti demokrat Edi Paloka akuzoi kryetarin e PS-së se po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, përmes manipulimit të komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. “Edi Rama e di shumë mirë që nuk mund të fitojë zgjedhjet me Sali Berishën. Rama e di shumë mirë që në fund fare do t’ia gjejë Berisha dhe do ta mundi prap. Për këtë arsye kthehet tek ëndrra e tij, të marri pushtet në tavolinë. Gjithë këto kohë ka kërkuar të marri pushtetin në tavolinë, i erdhi rasti të ketë kontrollin e komisioneve dhe të realizojë këtë ëndërr. Shpresa e tij vazhdon të mbetet manipulimi, por ta harrojë”- u shpreh Paloka.

Paloka nënvizoi Partia Demokratike kërkon balancimin komisioneve, siç e parashikon ligji e Kodi Zgjedhor. Ai theksoi se shkarkimi i Ilirjan Muhos nuk është çështje që lidhet drejtpërdrejt me të, por siç tha Paloka, lidhet me nevojën për të shkuar në zgjedhje me një KQZ të balancuar, me 3 anëtarë të opozitës dhe 3 të maxhorancës.

AHMETAJ: BERISHA KA FOBI NGA VOTA E LIRE
Ora 12:20 - Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se nisma e demokratëve për lirimin e anëtarit të KQZ-së është antiligjore dhe antikushtetuese. Sipas Ahmetajt, kryeministri Berisha po tregon se KQZ nuk do të jetë e pavarur, por do ndjekë një komandë politike.
“Çdokush në Shqipëri e ka të qartë që ajo që po ndodh me KQZ-së është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Sali Berisha me veprimin e sotëm i tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, me të cilët sot është gjithashtu në konflikt, i tregon se KQZ do ndjekë një komandë politike. Vazhdojmë me logjikën e balancimit politik të institucioneve, si mundet një KQZ e cila do të jetë në diktatin politik, për të lexuar drejt dhe kushtetueshmërisht mandatet politike që do të dalin nga zgjedhjet. Kjo është frikë, të kesh frikë nga një individ që është betuar në kuvend, në këtë rast është Ilirjan Muho. Berisha ka fobi nga vota e lirë, ka fobi nga zgjedhjet e lira dhe nuk mund te veproje ndryshe nga ajo qe ka bere ne 22 vjet, kur i ka grabitur dhe cenuar zgjedhjet. Ky njeri sot është i pajustifikuar dhe në vakt tregon se është antishqiptar. Ajo që Berisha po bën me KQZ kërkon të zgjasë agoninë e vetes dhe agoninë e shqiptarëve. Gjë që ne nuk do ta lejojmë. Në 23 qershor ju dorëzoni pushtetin në duart e shqiptarëve.”- deklaroi Ahmetaj.

DOKLE: PROBLEMI I PD-se ESHTE SE SI TE VJEDHE VOTAT
Ora 11:50 - “Problemi i Shqipërisë janë korbat e zinj që u janë sulur institucioneve të pavarura. Të mos lejojmë të shkelet pavarësia e institucioneve. Problemi i PD është gjithmonë se si të vjedhë votat.”- u shpreh deputeti socialist Namik Dokle.

GJIKNURI: PO DHUNOHET POPULLI NE TE DREJTAT E TIJ
Ora 11:40 - Deputeti socialist Damian Gjiknuri kryesoi listën e gjatë të deputetëve që do të diskutojnë sot në Kuvend, në lidhje me zëvendësimin ose jo të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho. Deputeti i PS-së akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të manipulojë zgjedhjet përmes kontrollit të KQZ-së.

“Qëllimi i këtij zotërisë është se do KQZ për të zabotuar disa procese. Ky do të zbatojë pikë për pikë skemën që zbatoi me zgjedhjet në Tiranë. Zgjedhjet realisht janë në rrezik, këtij i intereson mbi të gjitha grabitja e certifikatës së zgjedhjeve, që të jetë prap njësoj si në ’97, për të negociuar prap daljen e tij në politikë. Kësaj radhe nuk gjen dot një referencë ligjore. Kësaj radhe nuk ka shanse, po e provokon popullin dhe do të përballet me pasojat. Këtu po dhunohet populli në të drejtat e tij. Tërhiquni kësaj iniciative, pasi pasojat do të jenë të paparashikuara.”- u shpreh Gjiknuri.

Sipas deputetit socialist, marrëveshjet nuk mund të qëndrojnë mbi ligjet dhe Kushtetutën. “Me teorinë e Berishës marrëveshjet na qëndrokan mbi ligjet. Po Lefteri Lleshi, çfarë i takon Berishës dhe Metës tek zgjedhja e Lefteri Lleshit që është zgjedhur nga PD dhe LSI. Po rrezikohet realisht mbajtja e zgjedhjeve të lira.”- vijoi Gjinkuri.

PALOKA: PRISHJA E BARASPESHES NE KQZ KERCENON ZGJEDHJET
Ora 11:30 – Në fillim të seancës plenare, deputeti demokrat Edi Paloka lexoi relacionin e PD-së, ku renditen arsyet e kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI. Sipas Palokës, prishja e baraspeshës së KQZ-së, pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës, përbën kërcënim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Ndërhyrja duhet bërë pa hezitim. Në kushtet kur procesi zgjedhor ka filluar prej kohësh dhe KQZ dhe nivele të tjera marrin përditë vendime të rëndësishme, në emër të grupit parlamentar kërkoj që kjo situate të zgjidhet nga Kuvendi, në mënyrë që të mos cënohet puna dhe eficenca e KQZ-së. Komisioni i Ligjeve i rekomandon kuvendit të lirojë nga detyra anëtarin e KQZ, Ilirjan Muho, të propozuar nga LSI, dhe të zëvendësohet vakanca e krijuar”- u shpreh Paloka.

PS MBLEDH GRUPIN PARLAMENTAR PARA SEANCES
Ora 10:00 - Deputetët socialistë mblodhën sot në orën 09:00 grupin parlamentar, ku vendosën rreth mënyrës se si do të reagojnë në seancë. Në përfundim të mbledhjes, që zgjati rreth 30 minuta, nuk pati asnjë deklaratë për mediat në lidhje me vendimet e marra. Por në mbledhjen e mëparshme të grupit, ditën e enjte, kur u shty edhe votimi për këtë çështje, deputetët diskutuan për një reagim të ashpër deri në bllokim të punimeve të Kuvendit. Pati edhe mendime për bojkot, por kjo nuk u pranua nga kryetari Rama.

ZGURI: SHKARKIMI NGA KUVENDI, RAST I PERSERITUR
Ora 07:20 - Një prej ish-anëtarëve të KQZ-së dhe njëherësh një prej kandidatëve të propozuar nga Partia Republikane për të zëvendësuar Muhon, Klement Zguri ka thënë se shkarkimi i një anëtari KQZ-je është një situatë e përsëritur në Shqipëri. Sipas tij, mandati i anëtarëve të KQZ-së është ndërprerë në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Këto mandate, ka sqaruar Zguri janë ndërprerë për shkak të marrëveshjeve politike dhe jo për shkak të parashikimeve të Kodit Zgjedhor, siç e pretendon opozita që i referohet nenit 18 të këtij kodi.

Në bazë të këtij neni, mandati i anëtarit të KQZ-së përfundon kur ai kryen veprimtari politike, mbush moshën për pension, vdes, jep dorëheqjen nga detyra ose kur cenon veprimtarinë e KQZ-së, parashikime këto, të cilat nuk janë ndërmarrë nga anëtari i LSI-së në këtë institucion. Po sipas Klement Zgurit, edhe në rastet e iniciativave të ndërmarra nga Kuvendi në vitin 2004, në vitin 2008 dhe në vjeshtën e 2012, asnjë prej këtyre pikave nuk ekzistonte në kushtet kur Kuvendi ka vendosur të ndryshojë me votë parlamentare trupën e KQZ. Gjithçka mbetet për t’u parë sot në seancë.

Paralelisht me negociatat duket se po vazhdon edhe kalkulimi i votave në Parlament. Ndryshimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkon minimumi 71 vota, çka do të thotë se demokratët duhet të kërkojnë vota përtej koalicionit të tyre për të arritur këtë shifër.

Aktualisht, Partia Demokratike ka 66 deputetë në Kuvend dhe kjo shifër shkon në 69 po të llogariten edhe votat e dy deputetëve të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe një votë e Partisë Republikane. Këto janë votat 100 për qind të sigurta të koalicionit të djathtë. Në të njëjtën kohë, vota të mundshme për t’iu bashkuar alternativës së shkarkimit të anëtarit të LSI-së mund të konsiderohen edhe ato të dy ish-deputetëve të PS-së, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët janë shprehur se mbështesin PD--në në këtë nismë.

Të pavendosur janë dy deputetët e tjerë të pavarur, Kastriot Islami dhe Dritan Prifti. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka 61 deputetë, të cilët nëse do të ketë votim në seancën e sotme, do të jenë të gjithë të pranishëm. Këtyre votave u shtohen edhe katër të LSI-së, e cila është më e prekura e këtij votimi, por edhe vota e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në të njëjtin krah pritet të rreshtohet edhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera KQZ, Muho: Nuk dorëhiqem, jam betuar në Kuvend. Meta: Largimet hakmarrje politike Arvizu: Ndryshimi i rregullave në mes të lojës, e gabuar OSBE, Wollfarth: Palët të dialogojnë, tani do pres të shoh si do veprojnë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›