KQZ-ja shpall rezultatin e 23 qershorit. OSBE: Qeveria e re, pa vonesë
Tiranë- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve te 23 qershorit, pas çertifikimit të tij ditë më parë nga Kolegji Zgjedhor.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjoncaj tha ndër të tjera se KQZ-ja ka zvarritur procesin, sepse sipas tij rezultati i votës së 23 qershorit mund të dilte më shpejt.
Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ Ivi Kaso vlerësoi punën e këtij institucioni duke e cilësuar atë të standarteve evropiane.
Kolegji Zgjedhor tre ditë më parë bëri shpërndarjen e mandateve për 12 qarqet e vendit me kërkesë të Partisë Socialiste, si rrjedhoje e mungesës së kuorumit të duhur për këtë vendimmarrje në KQZ-së, fakt të cilin e pranoi edhe kjo e fundit.
Pas shpalljes së rezultatit kreu në detyrë i Prezencës së OSBE-së mirëpreti përfundimin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe tha se pret të bashkëpunojë me Kuvendin e ri.
“Kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, mirëpriti përfundimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, që u shënua sot me shpalljen e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ne tani presim me dëshirë të bashkëpunojmë me parlamentin dhe qeverinë e re, që shpresoj se do të konstituohen pa vonesë, për ta shtyrë përpara axhendën e reformave të vendit dhe për të fuqizuar shtetin e së drejtës. Një demokraci funksionale e cila ishte një aspiratë e shprehur nga qytetarët në votime mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen dinamike të të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, tha Wilton.
Nxitja e marrëdhënieve mes një Kuvendi të fortë e transparent dhe zgjedhësve të tij është një ndër veprimtaritë thelbësore të OSBE-së në Shqipëri dhe ne do të punojmë ngushtësisht me Kryetarin dhe anëtarët e Kuvendit për ta mbështetur këtë proces.
Ai shtoi se Prezenca e OSBE-së do të vijojë të jetë aktive në punën e saj lidhur me zgjedhjet në vend, duke u bazuar, gjithashtu, edhe në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të ardhshëm përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”,-njofton OSBE-ja.
Ja edhe rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja:
Koalicioni ASHE 313 227 vota më shumë se koalicioni APMI.
Koalicioni ASHE ka marrë 993.904 vota, 83 mandate.
Koalicioni APMI 618.667 vota, 57 mandate.
PS forca e parë politike me 65 deputetë.
Në 12 qarqe PS 713 407 vota, (41, 36)%, 185 035 më shumë.
PD ka marrë 528 373 vota, në përqindje 30, 63 %, 46 deputetë.
LSI ka marrë 16 mandate, 180 470 vota, 10,46%.
PBDNJ 14,722 vota.
PR 52 168 vota në 12 qarqe të vendit, ose 3, 2 %, 5 deputetë .
PDIU-ja 44 957 vota, ose 2,61 %, 4 deputetë .
10- PDK 13 e 288 vota 1 deputet .
FRD 29 mijë e 310 zgjedhës .
AKZ 10 196 vota.
Dritan Prifti në qarkun e Fierit 6164 vota.
Arben Malaj 3044 vota në qarkun e Vlorës.