Qeveria e majtë ta përfundojë brenda mandatit dëmshpërblimin e ish të përndjekurve
Flet Simon Mirakaj, kreu i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë
Në katër vjet mazhoranca e djathtë ka dhënë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë më shumë se 100 milion dollarë. Ndërsa e lidh këtë me situatën buxhetore të shtetit, kreu i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, thotë se pavarësisht se në qeveri vjen e majta në shtator, ka detyrimin ligjor që deri në 2017 të dëmshpërblejë. “ligji e ka të parashikuar deri në 2017, që të marrë fund dëmshpërblimi dhe ky është një borxh I PD, por një borxh shteti, dhe pjesë I këtij shteti është dhe spektri i majtë, që i ka kësaj kategorie dhe që ligji e imponon”, theksoi ai. Sipas tij, këstin e parë e kanë marrë afërsisht 12 mijë persona., ndërsa 7 mijë kanë marrë këstin e dytë. Çdo vit qeveria ka dhënë afërsisht 30 milion dollarë për këtë kategori. Mirakaj nuk shpreson që ligji i lustracionit të marrë ndonjëherë fuqi me qeverinë e majtë për sa kohë që e djathta nuk e bëri atë funksional në 8 vite pushtet. Mirakaj flet me rezerva edhe për ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë që mbeti në sirtarët e Kuvendit që prej pranverës së vitit të shkuar. Megjithëse kanë kaluar 23 vite nga demokracia dhe shumë ish të përndjekur nuk kanë arritur kurrë të marrin dëmshpërblimin për vuajtjet e regjimit komunist, Mirakaj thotë se dëmshpërblimi më i mirë do të ishte kthimi i pronave. “ aty ku ka mundësi të kthehet prona, ndërsa aty ku nuk ka mundësi të kompensohet me lek sepse vetëm atëherë mund të integrohesh”, theksoi Mirakaj. Ndërsa e vlerëson kreun e ri të PD, Lulzim Basha, Mirakaj thotë se do t’i kërkojë në takimin me të, ringritjen e Departamentit të ish të Përndjekurve politikë në PD. “Ne do të marrim takim me Zotin Basha për ti kërkuar atij strategjinë që ka për të përndjekurit, dhe do të kërkojmë të fillojë funksionimin e departamentit të ish të përndjekurit politik”.
...