E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ka plotësuar 35 nga 37 rekomandimet e KE, ka kryer një proces domethënës reformash

06-08-2013 / Gazeta 55

Flet sekretari Organizativ i GRECO, Volfgang Rau

GRECO, Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit, është një trupë që funksionon pranë Këshillit të Europës. Pak ditë më parë, kryeministri Sali Berisha u krenua me vlerësimet e dhëna nga kjo organizatë për Shqipërinë. Edhe sekretari Organizativ i GRECO, Volfgang Rau, në një intervistë për Dojçe Velen, flet se Shqipëria, si shtet anëtar i GRECO-s, ka përfituar nga monitorim i tij i vazhdueshëm dhe rekomandimet. “Që nga viti 2002 Shqipëria është vlerësuar tri herë nga GRECO lidhur me luftën kundër korrupsionit. Vendi ka plotësuar tanimë 35 nga 37 rekomandimet e dhëna nga GRECO, që atëherë dhe deri tani. Ky është një rezultat shumë i mirë që tregon se Shqipëria ka bërë përpjekje për të përmbushur rekomandimet e KE. P.sh. Shqipëria ka adaptuar Strategjinë Anti- Korrupsion, 2007-2013, dhe ka promovuar politika dhe masa anti- korrupsion në nivel lokal dhe rajonal, ka reformuar legjislacionin penal lidhur me korrupsionin, përfshirë këtu edhe penalitete për persona ligjorë lidhur me mit- marrjen, ryshfetin, trafikun e interesave, dhe pastrimin e parave. Shqipëria ka marrë gjithashtu masa për të mbrojtur dhe inkurajuar raportuesit e rasteve të korrupsionit. Gjithsesi është e qartë që lufta kundër korrupsionit është një sfidë afatgjatë që kërkon përpjekje të vazhdueshme, sidomos kur është fjala për zbatim efektiv të legjislacionit ekzistues. GRECO do të vazhdojë të monitorojë plotësimin e standardeve anti- korrupsion të KE, ashtu si bën për të gjitha shtetet anëtare”, theksoi Sekretari Organizativ i GRECO, Volfgang Rau. Ndër të tjera, lidhur me plotësimin e këtyre standardeve të GRECO, të publikuar në fund të qershorit të këtij viti, GRECO merret me dy fusha, për të cilat në Shqipëri ka ndjeshmëri të lartë: inkriminimin e korrupsionit dhe transparencën e financimeve të partive politike. Sipas sekretari Organizativ i GRECO Volfgang Rau, “Shqipëria ka kryer një proces domethënës reformash në të dyja fushat. Mes të tjerash, Kodi Penal u amendua në 2012, për të kriminalizuar qartësisht marrjen e ryshfetit nga zyrtarët e huaj dhe ndërkombëtarë, për të rritur nivelin e sanksioneve për ryshfetin në sektorin privat dhe për trafikun e interesave. Për më tepër Shqipëria ka marrë masa të rëndësishme për të forcuar transparencën e financimeve të partive politike, duke përfshirë donacionet dhe donatorët, siguruar monitorimin e KQZ në dy drejtime: aktivitetin e përditshëm rutinë dhe financimin e fushatës elektorale, si edhe për të përcaktuar sanksione lidhur me thyerjen e rrregullave të financimit. Sfida kryesore tani mbetet zbatimi efektiv, në praktikë i kuadrit të ri ligjor. Në raportin e fundit të GRECO-s për Shqipërinë, për të cilin po flasim, në zbatimin e ligjit në praktikë- sidomos në sa parashikon Kodi Penal lidhur psh me ryshfetin aktiv në sektorin publik dhe privat, trafikun e influences - deri tani progresi është shumë i limituar dhe zbatimi i ligjit është penguar nga një mungesë informacioni dhe mirëkuptimi të përgjithshëm për gjithë sa parashikon Kodi Penal për korrupsionin si edhe nga shtrembërimi i zbatimit të ligjit. Vendi ka nevojë për vazhdim dhe zhvillim të mëtejshëm të masave praktike si trajnimet e oficerëve të policisë, gjykatësve dhe prokurorëve”. Gjithashtu i pyetur a ka praktika të dobishme në vende të tjera anëtare të GRECO që mund t’i vlejnë Shqipërisë, Sekretari Organizativ i GRECO Volfgang Rau u shpreh se,“GRECO në Raportin e tij, të publikuar së fundi, ka deklaruar se përvoja lidhur me parashikimet e Kodit Penal për korrupsionin ka qenë i limituar, si lidhur me zyrtarët e lartë ashtu edhe në përgjithësi me punonjësit e sektorit publik. Përvoja tregon se duhen përmbushur disa kushte për të luftuar me efikasitet korrupsionin, duke filluar nga një vullnet i fortë politik në nivelin më të lartë politik që përkthehet në masa praktike për të siguruar që policia, akuza, dhe gjykatat kanë në dispozicion mjetet e duhura për të kryer punën e tyre, përfshirë edhe një numër të mjaftueshëm stafi të specializuar. Për më tepër, në shumë vende ngritja e një strukture të fuqishme, të pavarur anti- korrupsion ka provuar të jetë një aset në luftën kundër korrupsionit”. Ndërsa në lidhje me bashkëpunimin me qeverinë e majtë Zoti Rau vuri në dukje se në fund të tetorit, GRECO do të organizojë një vizitë vlerësuese për Shqipërinë në kuadër të raportit të radhës që ka të bëjë me parandalimin e korrupsionit për anëtarët e parlamentit, gjykatësit dhe prokurorët. “GRECO planifikon të adaptojë një raport vlerësim në fillim të vitit 2014 dhe pritet që Shqipëria, të plotësojë brenda 18 muajve rekomandimet që do të përmbajë ky raport. Natyrisht, në këtë fazë, nuk mund të flas për gjetjet e ekipit vlerësues dhe rekomandimet që do të ketë në raportin e GRECO-s, por është e qartë që fushat që do të mbulojë ai janë kyç për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike. Përgjithësisht, lipset angazhim i qartë politik dhe veprimi i vendosur, duke përfshirë si masat parandaluese ashtu edhe ndjekjen penale efektive, gjykimin e veprave penale të korrupsionit për ta luftuar ate me sukses“, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›