E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ kalon me shtatë anëtarë. LSI shmanget nga përfaqësimi

Konflikti me Partinë Socialiste mund t‘i shkaktojë Lëvizjes Socialiste për Integrim humbjen e përfaqësimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Burimet nga Komisioni i Reformës rrëfyen për "Shqip" skemën mbi të cilën do të ndërtohet institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve. Brenda kësaj jave, edhe kapitulli për këtë çështje do të përmbyllet, duke afruar fundin e Kodit Zgjedhor.

Skema

Mësohet se pas ndryshimeve që do t‘i bëhen Kodit Zgjedhor, KQZ-ja do të kthehet në një institucion me shtatë anëtarë. Parimi i ndërtimit të saj sërish mbetet logjika e balancës politike. Në këtë drejtim është rënë dakord që tre anëtarë të vijnë si propozime të opozitës dhe tre të shumicës që mban pushtetin. Anëtari i fundit, ose i shtati, është menduar të zgjidhet përmes votimit të cilësuar në Parlament. Kjo nënkupton arritjen e numrit prej 84 votash për t‘u zgjedhur anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo logjikë natyrshëm që të lë të kuptosh se emri do të vijë si propozim i shumicës që ka në këtë moment pushtetin, por do të kërkojë edhe konsensusin e minorancës. Në këtë formë, ky anëtar do mund të vendosë edhe balancat për funksionimin e institucionit. Gjashtë anëtarët e tjerë ndahen mes dy blloqeve politike kryesore në vend. Partia kryesore e shumicës ka dy anëtarë, partia kryesore e pakicës dy të tjerë. Nga secili krah do të mund të përfaqësohen me nga një anëtar edhe parti të vogla. Nga ky veprim natyrshëm që do të humbasë Lëvizja Socialiste për Integrim e drejtuar nga ish-kryeministri Ilir Meta. Mendohet se si kriter për përcaktimin e dy partive të vogla që kanë të drejtën të propozojnë nga një anëtar të KQZ-së të merret rezultati i zgjedhjeve të vitit 2005 në proporcional. Nëse kjo ndodh, atëherë këta dy anëtarë do t‘i përkasin Partisë Republikane për krahun e djathtë dhe Partisë Socialdemokrate për të majtët. Këto dy parti arritën të merrnin numrin më të madh të votave në sistemin proporcional, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Edhe nëse merret për kriter numri i mandateve që fitoi secila parti, sërish PR-ja dhe PSD-ja do të mund të përfshiheshin në formacionin e KQZ-së. Ato kanë përkatësisht 11 dhe 7 mandate deputetësh në Kuvendin aktual.

Ndryshimi

Komisioni Qendror Zgjedhor aktualisht përbëhet nga nëntë anëtarë. Aty kanë përfaqësim pesë parti politike të spektrave të ndryshëm, mes të cilëve Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Demokristiane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Juristët që përbëjnë këtë forum vendimmarrës janë Çlirim Gjata, Klemend Zguri, Arben Ristani, Flamur Çato, Dodë Prenga, Shkëlqim Hysi, Dëshira Subashi, Fatmir Kumbaro dhe Genci Shala. Mandati i tyre do të këputet në mes dhe ata do të duhet të zëvendësohen me juristë të tjerë bazuar mbi kriteret e vendosura nga Komisioni për Reformën Zgjedhore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›