E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, në zgjedhje me lista të veçanta

Nisin në PD ethet se cilët do të jenë deputetët e ardhshëm që do të përfaqësojnë siglën blu në Parlament. Listat e deputetëve në zgjedhjet e qershorit 2009 priten që të ngrenë temperaturën e debatit brenda Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, është i pari që ka ngritur zërin brenda kampit blu për mënyrën e bashkëpunimit të PD-së me aleatët në zgjedhjet parlamentare. Deputetët e PD-së fillojnë të mendojnë se selia blu ka mjaft figura të duhura për t‘u përfaqësuar në zgjedhjet e ardhshme dhe se nuk duhet t‘i privojë ato për t‘u siguruar aleatëve demokratë disa karrige në Kuvend.

Listat e deputetëve

"Koalicionet e përbëra me lista të përbashkëta do të jenë ‘Dushku‘ i ri në zgjedhjet e ardhshme, nëse Komisioni i Reformës e lejojnë këtë hapësirë në ligjin e ri elektoral", është shprehur deputeti Bujar Leskaj. Deputetët e djathtë i kanë dhënë fund heshtjes, duke filluar të reagojnë për një nga çështjet më delikate, për të cilat preken drejtpërdrejt. I pari që ka reaguar për listat e zgjedhësve është Bujar Leskaj. Pozicioni dhe imazhi në rënie të aleatëve i ka detyruar këta të fundit të përdorin presionin për të siguruar disa vende të sigurta në Kuvend. Kodi i ri Elektoral është një tjetër çështje që u jep avantazh dy partive më të mëdha, ndërkohë që partitë e vogla ngelen në "mëshirën" e lidershipëve të koalicionit ku bëjnë pjesë.

Listat e mbyllura, kryesisht anatemohen, pasi e rrisin ndjeshëm rolin e strukturave drejtuese të partive politike, apo liderit të partisë dhe ulin mundësinë e zgjedhësit për të dhënë preferencën, pasi lista përcaktohet nga lideri i partisë. Gjithsesi vlen të theksohet se edhe në zgjedhjet e kaluara kandidatët për deputetë zgjidheshin direkt nga lideri i partisë. Listat e mbyllura pritet që të favorizojnë përfaqësimin gjinor në Parlament.

Kryeministri Berisha është shprehur për këtë çështje në mbledhjen e grupit. Partia Demokratike ka ndezur motorët e fushatës elektorale. Rinovimi i strukturave të selisë blu, duke zgjedhur nga e para kryetarët e 12 qarqeve, do të shoqërohet nga debati i radhës për listat e deputetëve të ardhshëm. Caktimi i listës së deputetëve do i japë fund edhe paqes së PD-së me aleatët. Reforma elektorale e rrit ndjeshëm temperaturën e politikës së djathtë, ku përcaktimi i formulës elektorale për listat e deputetëve të ardhshëm pritet të fusë në sherr demokratët me aleatët. Reagimet më të forta vijnë nga Partia Demokratike, ku kërkohet mosnënshtrimi përballë presionit të aleatëve. Diskursi politik për formulën elektorale që do të përdorë Partia Demokratike në zgjedhjet e qershorit 2009-të duket se do të fusë në konflikt të hapur PD-në me koalicionin e djathtë. Aleatët e PD-së janë të trembur seriozisht, pasi reforma elektorale pritet t‘i përjashtojë ata përfundimisht nga skena politike. Qëndrimi i fundit i PD-së pritet të tërbojë republikanët, demokristianët, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Agrarët, por edhe partitë e tjera të vogla në koalicion me demokratët. Prej një kohe të gjatë, aleatët e djathtë kërkojnë mbajtjen e tryezës së koalicionit me Kryeministrin Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›