Qeveria bleu energji te miqtë e Fazliç
Damir Fazliç ka kapur Kryeministrin. Me këtë konstatim u shfaq dje para medias deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani. Sipas tij, Shqipëria është bërë dëshmitare e një skandali të ri që i tejkalon të gjitha përmasat e fantazisë. "Një individ i dyshimtë, që cilëson miq krerët e shtetit shqiptar e të afërmit e tyre të ngushtë dhe konsiderohet, po mik prej tyre, vjen, flet dhe ikën nga Tirana nën mbrojtjen e dyshimtë të strukturave të shtetit", u shpreh Harasani. Ai konstatoi se Kryeministri Berisha dhe bija e tij, ministri i Jashtëm pa imunitet, Basha, dhe kunati i tij, ish-ministri i Mbrojtjes pa imunitet e ish-kandidati humbës për Bashkinë e Tiranë dhe një numër tjerë personazhesh të dorës së dytë, janë vetëm një pjesë e dukshme e këtij klani. "Mendohet se është përfshirë në të gjitha punët e zeza të kryera në këto tre vjet, që nga mega-grabitja në rrugën Durrës-Kukës, te tenderët e energjisë elektrike, transferimi i kapitalit jashtë vendit e loja me trojet dhe pasuri të tjera të paluajtshme", theksoi Harasani. Askush nga ky klan, shtoi ai, të përmendur nga Fazliç si miq të tij, nuk e ka përgënjeshtruar serbin më të keq që mund të zgjidhte për mik Sali Berisha. "Përkundrazi, me arrogancë, Kryeministri shpall edhe më tej lidhjen e tij me të dhe më tej akoma, në shembullin më famëkeq të arrogancës së pushtetit, afron dhe sjelljen e tij në Kuvend për të dëshmuar", vijoi Harasani. Fazliç, insistoi deputeti socialist, për ta thënë hapur, ka marrë peng Kryeministrin. PS mendon se në mes të dyve shtrihen dhe mistere të tjera, që lidhen me miqtë e dyshimtë sllavë të Kryeministrit dhe që nisin që me të afërmit e tij të ngushtë, me kontrabandën e naftës e deri me trafikimin e armëve. Harasani u shpreh se do të mjaftonte vetëm një shembull, furnizimi i vendit me energji elektrike për të kuptuar një segment të atij mekanizmi të zi, që është vënë në lëvizje me synimin e qartë për të rrjepur qytetarin dhe për ta privuar atë nga shërbime jetike. "Berisha premtoi se në 2005 do të garantonte furnizimin me energji elektrike të zonave turistike, se në 2006 do të garantonte furnizimin 24 orë me energji të të gjithë vendit, se në 2007 Shqipëria do të fillonte të eksportonte energji", kujtoi ai. Harasani akuzoi se miqtë e mikut qeveritar Fazliç, kompania serbe Rudnap, në 2006, shiti energji në Shqipëri me 30 deri në 35 për qind më shtrenjtë. "Arriti të shesë energji, kur ndryshe nga sa thotë ligji i prokurimeve publike, nuk kishte asnjë eksperiencë të mëparshme në Shqipëri. A thua se konsulenca dhe referencat e shkëlqyera legale të firmosura në zyrën e Argitës, vlenin më shumë se ajo që kërkon ligji", nënvizoi Harasani.