Vasili: Kjo qeveri shkatërroi shtetin ligjor
Lëvizja Socialiste për Integrim hodhi dje alarmin për shkatërrimin e shtetit ligjor. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, deklaroi se të gjithë shqiptarët kanë dëgjuar dhe parë të skandalizuar, se si shteti i kapur i Sali Berishës sulmoi egërsisht Prokurorinë shqiptare. "I ndodhur nën presionin e fakteve të pakundërshtueshme për kapjen e tij, Sali Berisha pa asnjë hezitim po shpërdoron Qeverinë e tij dhe Ministrinë e Brendshme, duke e detyruar atë të godasë në emër të Fazliçit", theksoi Vasili. Sipas tij, shkatërrimi i shtetit ligjor dhe shndërrimi i tij në një shtet të kapur, që sundon e sulmon me stilin e Arturo Ui-së është sot tragjedia më e madhe që përjetojnë shqiptarët. "Veprimi i djeshëm i Ministrisë së Brendshme të Berishës është një nga aktet më të shëmtuara dhe që pason në mënyrë shumë të rrezikshme deklarimet e turpshme, shantazhuese dhe shumë të rënda të Berishës në parlamentin shqiptar", nënvizoi Vasili. LSI mendon se asnjë shqiptar sot nuk ka asnjë besim te Ministria e Brendshme, sepse që nga dje ajo deklaroi hapur se është në dispozicion të mbylljes së gojës, të sulmit e shantazhit ndaj drejtësisë. "Gjithçka po bën Berisha dhe dajakët e tij qeveritarë nuk e bëjnë dot të ndërrojë mendje popullin shqiptar, i cili e ka të qartë se ç`përfaqëson Fazliçi", konstatoi Vasili. Nga dje, tha ai, Ministria e Brendshme, që është shndërruar në një polici politike antiligj të Berishës, është ngarkuar me përgjegjësi tepër të rënda, për të cilat do të përgjigjet deri në fund, herët apo vonë. Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se drejtësia shqiptare dhe prokuroria duhet të vazhdojnë pa asnjë hezitim punën e tyre për të zbardhur të gjithë këtë aferë mafioze kryeministrore të përmasave shumë të mëdha. "Gjithashtu, drejtësia shqiptare duhet të fillojë menjëherë hetimet për shpërdorimin e pashembullt të detyrës ndaj ministrave të Berishës përgjegjës të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare, të cilët kanë vënë në dispozicion të njerëzve shumë të dyshimtë, si Fazliç dhe në shkelje flagrante dhe kriminale të ligjit, sekretet e shtetit dhe të sigurisë kombëtare", u shpreh Vasili.
Ata, tha ai, kanë mbështetjen e plotë të LSI, por edhe të 3 milionë shqiptarëve, të cilët pa asnjë hezitim dhe me shumë bindje janë në krah të tyre. "Sepse duan të jetojnë jo në një shtet të kapur dhe jo nën thundrën e një kaste të rrezikshme, që ka kapur për gryke Shqipërinë dhe po e mbyt", insistoi Vasili. LSI vlerëson se Berisha duhet të largohet menjëherë e të vihet në dispozicion të drejtësisë dhe e gjithë opozita pa asnjë ekuivok duhet të jetë unike.
Ata, tha ai, kanë mbështetjen e plotë të LSI, por edhe të 3 milionë shqiptarëve, të cilët pa asnjë hezitim dhe me shumë bindje janë në krah të tyre. "Sepse duan të jetojnë jo në një shtet të kapur dhe jo nën thundrën e një kaste të rrezikshme, që ka kapur për gryke Shqipërinë dhe po e mbyt", insistoi Vasili. LSI vlerëson se Berisha duhet të largohet menjëherë e të vihet në dispozicion të drejtësisë dhe e gjithë opozita pa asnjë ekuivok duhet të jetë unike.