KQZ, kërkon ndihmë

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë zgjidhje për Komunën e Gjilanit, pas komplikimit që shkaktoi një ditë më parë mosmiratimi i rezultateve përfundimtare.
Në një takim të mbyllur për media, të mbajtur të martën, anëtarët e KQZ’së nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, derisa kanë thënë se janë duke vazhduar me konsulta.
Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta, nuk ka dhënë asnjë zgjidhje se si do të mbyllet procesi elektoral i Gjilanit.
“Për çështjen e Gjilanit jemi në konsulta dhe këto konsulta ende nuk kanë përfunduar”, ka thënë Lushta, pas takimit.
Kryetarja e KQZ’së dhe anëtarët e tjerë të këtij institucioni e kanë vazhduar mbledhjen e KQZ’së më gjatë sesa kishin planifikuar, pasi para dyerve kanë qenë gazetarët e paftuar.
Pas mbledhjes, anëtari i AKR’së në KQZ, Fadil Maloku tha se ka propozuar që vendimi për Gjilanin të procedohet në Gjykatën Supreme, pasi ky institucion gjendet në “pat” pozicion.
“Unë mendoj se zgjidhja më nuk është në KQZ, zgjidhjen duhet ta kërkojmë nga Gjykata Supreme dhe kjo gjykatë të japë vendimit meritor për këtë pat pozicion që gjendet KQZ’ja”, ka thënë Maloku.
Por, Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta nuk ka dashur të komentojë këtë deklaratë me arsyetimin se konsultat do të vazhdojnë.
Ndërkohë, Kryeshefi i KQZ’së, Xhemail Peçani ka dhënë shpresë se procesi në Gjilan mund të përfundojë brenda dy-tri ditësh.
“Po me siguri në dy-tri ditët e ardhshme do të njoftoheni se KQZ’ja është në diskutime dhe konsultime se si do të veprojë më tutje rreth kësaj çështjeje”, ka premtuar Peçani.
Në mbledhjen e KQZ’së, përpos konsultave për të gjetur një zgjidhje për Gjilanin, është diskutuar edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për votimet e 31 janarit në Prizren dhe Lipjan.
Ndryshe, KQZ’ja një ditë më parë nuk mundi të sigurojë shumicën e votave për të përmbyllur procesin elektoral të Gjilanit. Abstenimi i Kryetares së KQZ’së ishte votë vendimtare për të mos u miratuar rezultatet e Qendrës së Numërimit të Rezultateve për këtë komunë.