E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ miratoi sot tabelat përfundimtare të rezultateve zgjedhore në Fier

KQZ miratoi mesditën e sotme me shumiçë votash (4 vota pro dhe 3 kundër) vendimin për tabelat përfundimtare të rezultateve të Qarkut Fier për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Sipas relaçionit shoqërues të vendimit, tabelat përfundimtare mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga shtatë KZAZ-të e këtij Qarku.  Shqyrtimi i këtij vendimi shkaktoi sot debate, pasi përfaqësues të PS-së kërkuan numërimin e 9 kutive të votimit të katër KZAZ-ve të Qarkut Fier, respektivisht të KZAZ-së me nr. 18, 19, 20 dhe 22. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi që Komisioni të vendoste për numërim të votave të 9 QV-ve në Fier, sikurse veproi me 6 kutitë e Fushë-Kuqes së Qarkut Lezhë. Por kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha se mes dy rasteve ka ndryshim, pasi KZAZ-të e qarkut Fier kanë miratuar me vendim tabelën e rezultateve dhe nisur nga kjo, e vetmja proçedurë për hapjen e kutive të votimit të kërkuar nga PS është zbatimi i nenit 123 të Kodit Zgjedhor, që do të thotë hartim i tabelës së qarkut dhe ankimim i vendimeve të KZAZ-ve. Për votimet e 28 qershorit në qarkun e Fierit funksionuan 488 qendra votimi të grupuara në 7 KZAZ, ndërkohë që numri i zgjedhësve të regjistruar ishte 352.423. Sipas rezultatit paraprak të KQZ-së të publikuar mbrëmjen e 3 korrikut, në këtë Qark  koaliçioni "Aleança e ndryshimit" fitoi 7 mandate, koaliçioni "Bashkimi për Ndryshim" 8 mandate dhe LSI 1 mandat. Deri tani KQZ ka miratuar tabelat përfundimtare të rezultateve për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit për 8 Qarqe nga 12, respektivisht për qarqet e Dibrës, Durrësit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit, Beratit, Shkodrës dhe Fierit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›