E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton “Aleancën për Qytetarin”

23/03/2011  Sot është afati i fundit për regjistrimin e Opozitës së Bashkuar për zgjedhjet

Zguri: Do të jetë KQZ-ja që do marrë një vendim për listat e opozitës për KZAZ-të

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme miratoi regjistrimin e koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”, të përbërë nga 22 parti, që do të marrë pjesë në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 8 majit. Ky vendim u mor sërish në mungesë të tre anëtarëve të opozitës në KQZ, të cilët vazhdojnë bojkotin e tyre që nga mbledhja e parë e këtij viti, kur u miratua buxheti për udhëtimet jashtë shtetit.

Nga ana tjetër, sipas Kodit Zgjedhor sot është data e fundit për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. Pra, partitë e majta do të priten nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bërë regjistrimin e tyre pranë këtij komisioni. Ndërsa në lidhje me faktin se dy partitë opozitare dorëzuan dy ditë më parë listat e emrave për anëtarët e 66 KZAZ-ve, këto dy parti janë përtej çdo afati ligjor. Për këtë anëtari i KQZ-së Klement Zguri u shpreh dje se Komisioni do të jetë ai që do të marrë një vendim. “KQZ-ja po e shqyrton këtë situatë dhe besoj se po kërkon zgjidhje ligjore të mundshme. Është një debat i nxehtë i politikës, i të gjithë faktorëve që kanë impakt në zgjedhje. Por gjithsesi, pavarësisht se cila do të jetë zgjidhja, ne shpresojmë që ajo të jetë ligjore”, - tha Zguri.

Aleanca për Qytetarin

Sipas marrëveshjes për krijimin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, kryetar i këtij grupimi është kreu i partisë më të madhe të mazhorancës Sali Berisha. Përveç Partisë Demokratike ky koalicion përbëhet nga LSI, PR, PDIU, PAA, PLL, LDK, PBK, BLD, AD, PBKD, PDRESH, PDM e Re, ADS, PKONS, AMIE, PBD, POSH, PADK, PAP, AEE dhe PPAK. Në deklaratën e tyre të përbashkët theksohet se “për këshillat e bashkive, komunave dhe të njësive bashkiake të Tiranës të gjitha partitë pjesëtare të këtij koalicioni do të paraqesin listat e tyre shumemërore, të cilat do të depozitohen pranë KZAZ-ve përkatëse apo KQZ-së (për Bashkinë e Tiranës).”

“Bashkëpunimi” i opozitës

Partitë e majta nuk kanë denjuar të respektojnë detyrimin e tyre ligjor, pasi nuk kanë respektuar afatet e dorëzimit të listave me propozimet e tyre në KZAZ-të, si dhe refuzuan të gjitha këshillat e ardhura nga ndërkombëtarët për përgatitjen e procesit zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit. “Ky detyrim në fakt duhej të ishte bërë sipas ligjit, pra 90 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Jemi në tejkalim të të gjitha afateve, në tejkalim edhe të kohës shtesë që iu dha atyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pra jemi në kufijtë maksimalë të ligjit”, - tha Zguri.

Tërheqja e vonuar e opozitës

Në lidhje me dorëzimin e listave nga ana e dy partive parlamentare të opozitës në lidhje me vendet vakante tashmë të konstituara nga KQZ-ja kreu i këtij komisioni, Arben Ristani, tha: “Pas një muaji nga skadimi i të gjitha afateve PS-ja dhe PBDNJ-ja kanë dorëzuar listat e tyre për KZAZ-të në KQZ. Por pavarësisht vendimit që ne do të marrim, dua të theksoj se këto dy subjekte janë jashtë çdo afati ligjor të përcaktuar nga Kodi dhe Kushtetuta, gjë që ka sjellë dhe vonesa në organizimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›