E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merrnin para për lobingje dhe konsulta

23/03/2011  Skandali i korrupsionit përfshin në hetim tre deputetë të PE

Skandali i korrupsionit në të cilin janë përfshirë tre eurodeputetë të PE-së ka detyruar Parlamentin Europian që dje të nisë nga hetimet për zbardhjen ngjarjes.

Kanë nisur zyrtarisht hetimet nga Parlamenti Europian. Ka qenë gazeta britanike “Sunday Times” që ka akuzuar deputetin slloven Zoran Thaler, deputetin austriak Ernst Straser dhe rumunin Adrian Severin. Këta tre eurodeputetë dyshohen se kanë propozuar amendamente për një projektligj mbi bankat në këmbim të ryshfetit, pasi gazetarët janë paraqitur si lobistë pranë 60 eurodeputetëve, duke u kërkuar favore për një klient imagjinar rus. Ndërkohë ish-ministri i Brendshëm austriak Ernst Straser dhe Zoran Thaler, ish-ministër i Jashtëm i Sllovenisë, dhanë menjëherë dorëheqjen pas jehonës që pati kjo çështje në mediet e vendeve respektive. “Eurodeputetët dhanë dorëheqjen për të mundësuar hetimet pa pengesë për dyshimet që rëndojnë mbi ta për korrupsion”, - ka qenë njoftimi zyrtar i tyre. Ndërsa eurodeputeti i tretë i akuzuar, Adrian Severin, ish-zv.kryeministër i Rumanisë, është tërhequr vetëm nga pozicioni i nënkryetarit të grupimit të majtë europarlamentar dhe është vetëpezulluar si deputet i këtij legjislativi përkohësisht. Akuzave të ngritura nga PE-ja 14 eurodeputetë janë përgjigjur, ndërsa 3 prej tyre akuzohen për korrupsion nga gazeta britanike, e cila ka dëshmuar bisedat e regjistruara me kamera të fshehtë. Thaler, i cili ishte dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, kishte deklaruar të dielën e kaluar përmes një komunikate për shtyp se çështja ishte e dyshimtë, nuk kishte pranuar para, por ishte munduar të hetonte vetë se cilët ishin këta persona. Gazetarët britanikë synonin të provonin se PE-ja ishte pre e organizatave lobing, të cilat mbronin interesat e kompanive industriale dhe jo ato të konsumatorit.

Oferat e skandalit

Gazetarët e infiltruar si lobues ofronin 4 mijë euro në ditë për shërbim konsultues dhe 100 mijë euro do të ishte pagesa në rast se do të merrnin pjesë në mbledhjet e bordit mbikëqyrës të bankës, gjithsej 6 herë në vit, sipas ofertës. Severin kishte propozuar amendamentin e kërkuar dhe priste pagesën e tri ditëve punë, pra 12 mijë euro, në fund të shkurtit, ndërsa austriaku Straser kërkonte 25 mijë euro më 5 mars për pjesën e tij të punës në ndryshimin e Direktivës Europiane në favor të biznesmenit rus imagjinar.

Festa e Sulltan Nevruzit

Topalli: Kjo festë të kujton 22 marsin, festën e demokracisë

Paraditen e djeshme Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vizituar selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë me rastin e festës së Sulltan Nevruzit. Gjatë vizitës së saj Topalli zhvilloi një takim me kreun e kësaj selie Baba Dede Reshat Bardhi. Kryefjala e takimit mes bashkëbiseduesve ishte festa dhe domethënia e kësaj ngjarjeje të shënuar për besimtarët bektashinj. “Festa e Sulltan Nevruzit ka gjithë domethënien brenda vetë fjalës ‘Nevruz’, që do të thotë një ditë e re. Nuk ka koincidencë më të bukur sesa pranvera, që është rilindja e jetës, shpresës dhe kësaj dite”, - u shpreh Topalli. Nga ana tjetër kryeparlamentarja bëri një paralelizëm të festës me datën e zhvillimit të zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri. “Kjo festë të kujton 22 marsin, festën e demokracisë të 19 vjetve më parë. Të gjithë e festojnë këtë ditë, në mënyrë të veçantë të rinjtë dhe të rejat, që kanë lindur në liri. Liri e cila ka funksionuar duke e bërë vendin tonë të lirë, vend të NATO-s, vendin me lëvizje të lirë”, - u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Në përfundim të fjalës së saj Topalli e cilësoi ditën e Sulltan Nevruzit si ditën e gjallërimit, të rilindjes, të shpresës dhe paqes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›