E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton buxhetin: 7.3 mld lekë për zgjedhje

Qeveria kishte parashikuar fondin prej 6 miliardë lekësh, por KQZ kërkoi 1. 3 miliardë lekë më shumë. Ky fond do të shërbejë për monitorimin me kamera të procesit të numërimit të votave. 

TIRANE- Komisioni Qëndror Zgjedhor miratoi sot unanimisht buxhetin e parashikuar për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare më 28 qershor të 2009. Institucioni i menaxhimit të procesit elektoral përllogariti fondin prej 7.3 miliardësh.

Me 7 vota pro dhe asnjë kundër KQZ miratoi në mbledhjen e sotme kërkesën drejtuar Këshillit të Ministrave për aprovimin e buxhetit
Nëpërmjet një relacioni të detajuar anëtarët e KQZ-së janë njohur me të gjitha zërat që përbëjnë buxhetin e këtyre zgjedhjeve. Qeveria kishte parashikuar fondin prej 6 miliardë lekësh, por KQZ kërkoi 1. 3 miliardë lekë më shumë. Ky fond do të shërbejë për monitorimin me kamera të procesit të numërimit të votave.

Gjatë mbledhjes përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve Genc Gjoncaj i kërkoi anëtarëve që KQZ të ketë një fond rezerve gjatë zgjedhjeve pasi ky proces është me rëndësi të madhe kombëtare dhe nuk duhet të mbesë peng i parave.

Për herë të parë në Shqipëri grupet e numërimit të votave do të kenë pranë një monitor ku do të pasqyrojnë cdo fletë votimi në kohë reale. Në ambientet e KQZ-së do të funskionojnë monitorët që pasqyrojnë aktivitetin nga 66 Komisionet Zonale Zgjedhore dhe procesi do të mund të ndiqet direkt me të gjitha problemet që mund të hasen.

Një zë i konsiderueshëm financiar janë pagat e mbi 41 mijë komisionerëve të niveleve të ndryshme, si dhe pagat e punonjësve part time që KQZ ofron në prag të zgjedhjeve.

Gjithashtu me këtë fond do të blehen fletët e votimit për zgjedhjet e qershorit, të cilat pritet të jenë 3195913 copë. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Brendshme numri në total I zgjedhësve pritet të jenë 3133248. Sipas Kodit Zgjedhor KQZ duhet të kërkojë shtypjen e fletëve të votimit të barabartë me numrin e zgjedhësve plus 2% të kësaj shume.
(s.g/BalkanWeb)

.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›