KQZ miraton formulën e komisioneve vendore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton formulën e ngritjes së KZAZ-ve. Në mbledhjen e mbrëmshme, KQZ-ja ka miratuar një projekt në lidhje me mënyrën e ndarjes së komisioneve të dyta, që do të administrojnë procesin zgjedhor. KQZ-ja përcaktoi se katër parti do të kenë të drejtën e anëtarëve. Ato janë PD, PS, PR dhe PSD, skema është e njëjtë me atë të KQZ-së. Demokratët dhe socialistët do të kenë nga dy anëtarë. Ndërsa mësohet se kryetari i KZAZ-së do të ndahet në mënyrë të barabartë mes PD-së dhe PS-së. Ende nuk ka një numër zyrtar se sa do të jetë numri i saktë i KZAZ-ve, por nga llogaritjet paraprake mësohet se do të ketë 66 komisione të tilla. KQZ-ja nuk e miraton një ndarje të saktë të KZAZ-ve për shkak se ende nuk ka një listë të saktë të zgjedhësve. Pas paraqitjes së numrit të saktë të votuesve, atëherë KQZ-së i lind detyrimi që të miratojë KZAZ-të. Në bazë të ligjit, Kodit Zgjedhor ato duhet të ngrihen 90 ditë përpara ditës së votimit. Ndërsa mësohet se sekretare e KQZ-së, do të jetë Eljona Mancaku, pas disa kandidaturave të paraqitura.