E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të fala nga Edi Rama!

Dritan Prifti 

Në 21 prill 2008, Sali Berisha dhe Edi Rama me kartonët që urdhërojnë në Parlament ndryshuan Kushtetutën e vendit, të cilën socialistët e kishin aprovuar me referendum popullor në vitin 1998. Saliu këtë  Kushtetutë kishte ëndërruar prej vitesh dhe e fitoi nga Edi Rama, kurse socialistët ekzakt këtë Kushtetutë e kishin rrëzuar me mbi 1 milion vota në vitin 1994, duke derdhur dhe gjak për ta mbrojtur atë, siç ndodhi në Libofshë. U ndryshuan shumë gjëra në Kushtetutë siç donte Saliu, por dhe shumë të tjera siç donte Edi. Kishte dhe ndryshime që i donin të dy "liderët" tanë, siç ishte heqja e zonave elektorale tradicionale nga sistemi ynë zgjedhor dhe vendimi që deputetët e ardhshëm të zgjidhen me lista të mbyllura nga kryetarët e partive. Me ndryshimet kushtetuese tani nuk do të ketë deputetë zonash elektorale. Shqiptarët nuk do të votojnë për emrat që kanë dëshirë ata t'i japin votën dhe t'i dërgojnë në Parlament.  Shqiptarët tani nuk votojnë për deputetët që duan, por vetëm për partinë.
Kjo është një lojë e pandershme, me anë të së cilës Berisha dhe Rama dëshirojnë të mashtrojnë sërish shqiptarët për t'i marrë votën. Berisha asnjëherë nuk ka pasur deputetë të përkushtuar apo kuadro të aftë për të qeverisur. Duke ditur këtë fakt, Berisha e ka pasur gjithmonë strategji që asnjëherë deputetet nuk kandidonin dy herë në të njëjtën zonë. Strategjia e Berishës ka qenë e qartë: gënjeni sa të mundni, premtoni sa të mundni, sepse pas kësaj nuk do keni nevojë të shkoni të jepni llogari në zonën që ju zgjodhi deputet. Shumica e figurave qendrore të Partisë Demokratike kanë ndryshuar zonat elektorale çdo 4 vjet, sepse nuk kanë mbajtur asnjë prej premtimeve që jepnin para se të zgjidheshin. Në disa raste populli mashtrohej nga fytyrat e reja që vinin çdo palë zgjedhje, harronin mashtruesit e kaluar, i pëlqente të gënjeheshin nga fytyrat e reja dhe kështu mashtrimi vazhdonte. Edhe figurat qeverisëse të Berishës janë të paafta dhe mashtruese, duke filluar nga vetë ai, një doktor zemre që nuk ka haber as nga ekonomia dhe as nga ligjet, dhe duke vazhduar me një ministër Financash me Universitet Bujqësor. Histori e pastër paaftësie dhe mashtrimesh nga fillimi në fund. Berishës i pëlqeu ideja e heqjes së zonave elektorale, sepse nuk dilte dot përsëri përpara elektoratit me të njëjtët kandidatë mashtrues. 
Për mua nuk ishte aspak çudi që dhe Edi Rama e kërkoi heqjen e zonave elektorale. Si mund të dilte ai përpara elektoratit të Mallakastrës përsëri me Kastriot Islamin, kur ai popull ka votuar Kastriotin për 18 vjet rresht dhe sot është i zhytur në mjerim e varfëri, duke jetuar në qytete e fshatra pa rrugë, pa ujë dhe pa kanalizime, duke kërkuar mundësinë të largohen nga Mallakastra një ditë e më parë? Imagjinoje që Kastriot Islami ka qenë zv.kryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër Financash, dhe po të kishte pasur fare pak përgjegjësi do kishte bërë çudira për Mallakastrën. Edi Rama meqë nuk ka guxim t'ia çojë përsëri Kastriotin mallakastriotëve, atëherë vendosë ta fshehë në listat e mbyllura dhe mos ta pyes fare popullin për atë. Si Kastrioti janë shumica e deputetëve të PS-së, njerëz që kanë premtuar dhe mashtruar pa asnjë kandar, njerëz prej të cilëve elektorati ka alergji. Duke hequr zonat elektorale, Edi ka mundësinë t'i fusë ata përsëri në Parlament, duke i fshehur në lista të mbyllura. 
Të gjithë këtyre "figurave të kombit", Edi Rama i ka dhënë një detyrë të re, një strategji të re të mashtrimit për të mbledhur vota në 28 qershor 2009. "Takoni gjithë personalitetet e LSI-së, - i ka thënë Edi të vetëve, dhe bëjini të fala nga Edi Rama. Thojini që Edi Rama ka respekt për ata dhe në këmbim të ardhjes tek PS-ja, ofrojini atyre çfarë të duan". Dhe ushtria e mashtrimit ka filluar misionin për t'i dërguar gjithë popullit "të fala nga Edi Rama". 
Sot unë isha në një takim në Lushnjë dhe tre persona të LSI-së më thanë që Edi Rama i kishte dërguar të fala. I pari ishte anëtari i kryesisë së LSI-së, profesori i nderuar Tokli Thomai. "Më kërkoi takim deputeti Albert Caci, - tha Tokli, dhe më bëri të fala nga Edi Rama. Më ftoi të bashkohem me PS-në dhe më ofroi të kërkoja çfarë të doja në shkëmbim". Sigurisht që profesor Tokli e refuzoi deputetin hallexhi, të cilin meqë Edi e ka ndihmuar aq shumë, i kanë ikur gruaja dhe fëmijët në Kanada për bukën e gojës, kurse vetë sakrifikon në Shqipëri për të ndihmuar atdheun. Pastaj pas pak ditësh Toklin e kishte takuar deputeti Çim Hysa dhe i kishte bërë të fala nga Edi dhe i kishte kërkuar të vinte në PS dhe për këtë mund të kërkonte çfarëdo shpërblimi. Toklit dhe Çimit i kishte thënë "JO". Kur më tregonte Tokli historinë e deputetit Çim Hysa m'u kujtua si erdhi njëherë tek shtëpia e Ilir Metës, kur Meta ishte kryeministër, me katër kaponj deti në duar, me dëshirën që shefi të hante mish gjeli të freskët për vitin e ri. Pastaj Tokli tregoi se si një kushëri i tij i kishte bërë të fala nga Edi Rama dhe i kishte bërë të njëjtën ofertë. 
Këtë histori ia tregova sot Bardhi Melit, kryetarit të bashkisë Patos, dhe Bardhi më tha që kështu ia kanë bërë dhe atij.  Njëherë i ka kërkuar takim një këshilltar i Ramës dhe pastaj një i përjashtuar nga LSI-ja, dhe i kanë bërë të fala nga Edi Rama dhe i kanë bërë ofertën përkatëse. E njëjta gjë kishte ndodhur me Hamza Toron, kryetar i komunës Kurjan të Fierit. Këshilltarja e Edit me mbiemrin Bizhga i kishte bërë të fala nga Edi Rama dhe i kishte bërë ofertën. Po të vazhdoj të pyes, besoj lista e njerëzve të LSI-së që kanë marrë të fala nga Edi Rama duhet të jetë e pafund. Para disa ditësh Gëzim Podgorica i PS '91 më tregoi një histori të bukur për në Shkodër. Një miku i tij kishte marrë të fala nga Edi Rama dhe një ofertë për t'u bërë zv.ministër dhe ishte kënaqur shumë. "Kot e keni që i bini më qafë Edit, - i tha ai Gëzimit". "Të mashtron, - i tha Gëzimi.  Kërkoji një vend pune në Bashkinë e Tiranës tani që ta provosh që të gënjen". Dhe miku nga Shkodra i kërkoi një vend pune në Bashkinë e Tiranës, Edit. Edi i kishte thënë mikut "pas zgjedhjeve se tani s'bëhet". Kjo kishte mjaftuar që miku i Shkodrës ta falënderonte Gëzim Podgoricën që i kishte hapur sytë. 
Edi Rama dhe ushtria e tij e mashtrimit kanë filluar një fushatë shfrenuese për të ofruar çdo gjë që s'e kanë në dorë tani, por do ta kenë "pas zgjedhjeve". I bëjnë oferta për një vend zv. ministri 100 vetave në gjithë anët e Shqipërisë. I bëjnë të fala njerëzve që s'e kanë parë as në ëndërr Edi Ramën, i ofrojnë vende pune, sigurisht pas zgjedhjeve. Sa qesharakë janë bërë këta ushtarë të Edit! Nuk kanë fytyrë të premtojnë asgjë në emër të vet, sepse kanë mashtruar vite me radhë, dhe tani premtojnë në emër të Edit. Ka shumë që i hanë mashtrimet. Ka shumë që i pëlqen të mashtrohen. Por nëse ata do marrin guximin dhe t'i kërkojnë Edi Ramës një vend pune sot në Bashkinë e Tiranës, ku ai kontrollon vetë çdo gjë, do ta kuptojnë se sa false janë premtimet për bollëk nesër.  Mua më vjen keq që më duhet t'i jap shqiptarëve këto shembuj për Edi Ramën. O njerëz, shikoni Bashkinë e Tiranës dhe vështroni sa socialistë ka punësuar Edi atje. Ju përgjigjem unë: Asnjë. Ka punësuar shumë nga G99 apo nga familja e Skënder Gjinushit, por socialistë s'ka asnjë. Ky është shembulli më i mirë se çfarë bën Edi Rama për socialistët, për ata që e mbështesin dhe ndihmojnë. 
Të fala të gjithëve nga Edi Rama!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›