Meta në Bathore: Premtojmë punësim për çdo familjar
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i është bashkuar dje protestës paqësore të banorëve të Bathores për kushtet e vështira ekonomike në të cilat jetojnë. Kërkesat e tyre ishin jetike, për punësim, ujë të pijshëm, heqjen e faturave aforfe të energjisë elektrike, kushte më të mira në shkolla, pasi mësimi bëhet me tre turne, legalizimin etj. Duke bashkëbiseduar me ta, Meta i garantoi banorët e Bathores se LSI “do t’u qëndrojë gjithnjë në krah, në të gjitha kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime, për të ndërgjegjësuar aq sa është e mundur parlamentin e sotëm, i cili është një parlament, që për fat të mirë brenda pak muajsh do ta mbyllë aktivitetin e vet”. “Dua t’ju siguroj që problemet tuaja do të jenë një problem i padiskutueshëm i yni, jo vetëm për zgjedhjet e 28 qershorit, por për të gjithë lëvizjen e 29 qershorit”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së u premtoi atyre se pas 28 qershorit do të ketë punësim për çdo familjar që ka nevojë për punësim. “Ne nuk premtojmë çekun e bardhë, por ne premtojmë punësim për çdo familjar që ka nevojë për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të garantuar jetën e tij dhe të fëmijëve të tij. Ne garantojmë rritjen e punësimit si prioritetin numër një të qeverisjes së ardhshme”, tha Meta. Kreu i LSI-së preku dhe çështjen e legalizimeve. “Ne garantojnë legalizimin për t’i dhënë fund kësaj drame që keni ju, që keni gati dy dekada dhe nuk jeni ende zot të shtëpive, që keni ndërtuar me kaq shumë sakrifica. Ne premtojmë mbi të gjitha të vijmë këtu tek ju jo vetëm në raste të tilla, po sa herë ju të na kërkoni, premtojmë të bëhemi pjesë e komunitetit tuaj në kuptimin e ndarjes së halleve dhe shqetësimeve me ju, jo vetëm sot, jo vetëm më 28 qershor, por ajo që është më e rëndësishme edhe pas 28 qershorit, sepse jeni shqiptarë, sepse jeni patriotë. Ju jeni njerëz të sakrificës dhe keni punuar gjithë këto vite dhe duhet patjetër që Qeveria dhe pushteti vendor t’ju integrojë si qytetarë të denjë dhe të barabartë në kryeqytetin tonë Tiranën”, tha Meta. a.l