E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja pezullon “Dosjet”

 

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese pezulloi dje ligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”. Pas mbledhjes së nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me 7 vota pro pezullimit dhe 2 kundër, u vendos pranimi i kërkesës së 35 deputetëve të Kuvendit për të pezulluar zbatimin e ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Vetëm Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza ishin kundër pezullimit të zbatimit të ligjit, ndërsa 7 anëtarët e tjerë të kësaj gjykate kanë qenë pro pezullimit. Në mbledhjen e djeshme të gjyqtarëve u vendos që t’i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion “Amicus curiae” për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar. Relatori i kësaj çështje është Sokol Berberi. “Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, duke çmuar se, zbatimi i ligjit objekt shqyrtimi, mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, u shpreh drejtoresha e Informacionit në Gjykatën Kushtetuese, Edlira Abazi, duke komunikuar vendimin e gjykatës.
Vendimi
Në vendimin e saj, gjykata u bazua në nenin 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit kërkesa për pezullimin e ligjit mund të shqyrtohet paraprakisht nga mbledhja e gjyqtarëve ose seanca plenare në rastet kur “...zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve”. Gjykata Kushtetuese për të arritur në këtë vendim mori në konsideratë argumentet e parashtruara nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për pezullimin e zbatimit të ligjit deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë. Sipas deputetëve, zbatimi i ligjit mund të sjellë pasoja të rënda në funksionimin e shtetit dhe institucioneve kushtetuese. “Sipas kërkuesve, nga zbatimi i menjëhershëm i ligjit, interesave të rëndësishme shtetërore u shkaktohet një dëm shumë serioz dhe vështirësisht i riparueshëm; krijohen dukshëm mosmarrëveshje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese dhe një autoriteti të krijuar me ligj të zakonshëm; cenohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, nga veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të Figurave; krijohet vakum institucional deri në bllokim të veprimtarisë kushtetuese të organit shtetëror; përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarët e lartë të shtetit, të cilët kanë status kushtetues”, shprehet Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur për shqyrtim kërkesat e një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve me objekt: “Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr.10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” si dhe pezullimin e zbatimit të ligjit deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.  

Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesat e paraqitura nga kërkuesit për pezullimin e zbatimit të ligjit të sipërcituar,

V Ë R E N:

Sipas nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, kërkesa për pezullimin e ligjit mund të shqyrtohet paraprakisht nga Mbledhja e Gjyqtarëve ose seanca plenare në rastet kur “...zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve”.

Kërkuesit kanë pretenduar se dispozitat e ligjit nr.10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” cenojnë rëndë parimet e kushtetutshmërisë (nenet 4, 81/2, 116, 124, 127, 128 të Kushtetutës), të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve (neni 7), të funksionimit të shtetit të së drejtës (preambula e Kushtetutës dhe fryma e saj), të pavarësisë së gjyqësorit dhe të patundshmërisë së gjyqtarit (nenet 135, 137, 138, 139, 140, 145, 147), si edhe disa nga të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese, si p.sh., të drejtën për punë (neni 49), të drejtën për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor (neni 3), të drejtën për t’u prezumuar i pafajshëm (neni 30), të drejtën për të mos u ndëshkuar dy herë për të njëjtin veprim (neni 34) dhe të drejtën për t’u zgjedhur (neni 45).

Krahas pretendimeve për papajtueshmërinë me Kushtetutën të dispozitave të ligjit të sipërcituar, kërkuesit kanë parashtruar dhe argumente ligjore për pasojat që mund të sjellë për interesat shtetërore, shoqërore ose të individëve zbatimi i menjëhershëm i ligjit dhe kanë kërkuar pezullimin e ligjit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.   

Sipas kërkuesve, nga zbatimi i menjëhershëm i ligjit, interesave të rëndësishme shtetërore u shkaktohet një dëm shumë serioz dhe vështirësisht i riparueshëm; krijohen dukshëm mosmarrëveshje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese dhe një autoriteti të krijuar me ligj të zakonshëm; cenohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, nga veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të figurave; krijohet vakum institucional deri në bllokim të veprimtarisë kushtetuese të organit shtetëror; përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarët e lartë të shtetit, të cilët kanë status kushtetues.

Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, shkaqet e parashtruara nga kërkuesit lidhur me kërkesën për pezullimin e ligjit, në kuptim të nenit 45 të ligjit organik të saj, i vlerëson si shkaqe të përligjura për të argumentuar parandalimin e pasojave që mund t’i vijnë funksionimit normal të shtetit të së drejtës si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve. 

PËR KËTO ARSYE;

Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, me shumicë votash,

V E N D O S I:

- Të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit nr.10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.   

- Vendimi i njoftohet kërkuesit, Kuvendit të Shqipërisë, subjekteve të interesuar, si dhe bëhet publikimi i tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

BE kërkoi nga Gjykata të marrë vendimin

“BE i kërkoi qeverisë shqiptare, përmes një deklarate pak ditë më parë, të mbrojë, sigurisht edhe në procesin e Lustracionit, pavarësinë e institucioneve kushtetuese, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, Gjykatat dhe Prokurorinë. BE rekomandon që ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, BE konsideron se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e aftë të vendosë mbi kushtetutshmërinë e ligjit, përpara se ai të zbatohet. BE thekson gjithashtu rëndësinë e sigurimit të një dialogu gjithëpërfshirës politik”, u shpreh Brukseli në deklaratën e tij. Bashkimi Evropian i kërkoi Gjykatës Kushtetuese se ajo duhet të marrë një vendim para se ligji të zbatohet.

Dosjet, Berisha pranon Kushtetuesen

ADI SHKEMBI

Qeveria tërhiqet përfundimisht nga zbatimi i ligjit të Lustracionit, deri sa të shprehet me vendim Gjykata Kushtetuese. Rreth 15 minuta pasi Gjykata shpalli pezullimin e veprimit të këtij ligji, kryeministri Berisha sulmoi ashpër nga mbledhja e grupit parlamentar të PD-së këtë institucion, duke e konsideruar vendimin e marrë prej saj si jashtëzakonisht të rëndë. “Kjo është një pengesë në procesin e ndarjes në mënyrën më të civilizuar me një të shkuar makabre. Ndaj, duke theksuar se vendimin ne do ta zbatojmë, sepse nuk mund të hedhim poshtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ai është absurd dhe pavarësisht se pas këtij vendimi është kryekëput Edi Rama, avokati kryesor i krimeve të shëmtuara të sistemit komunist, ne do të vazhdojmë në mënyrë të vendosur betejën në këtë drejtim”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në të njëjtën linjë me qëndrimin e shfaqur deri ditën e djeshme, kreu i maxhorancës theksoi, se Gjykata Kushtetuese mori një vendim për pezullimin e ligjit, megjithëse ishte në konflikt të pastër interesi. Madje, duke ironizuar qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, kreu i qeverisë e ka cilësuar si standard të Mark Abdisë (bashkimi i Mark Nikollit- ish-kryetar i kryetar i të komisionit të garancive statusore në PS dhe Fehmi Abdiu anëtar i Gjykatës Kushtetuese). “Me këtë vendim, që mund të quhet thjesht standardi i Mark Abdisë, Gjykata Kushtetuese dhunoi një parim universal të etikës të gjyqësorit, që është parimi i integritetit dhe që ka si kusht themelor përjashtimin nga konflikti i interesit dhe nga dukuria sikur je në konflikt interesi, ajo theu ligjin e saj organik që nuk i lejon gjykatësit të vendosin në konflikt interesi”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Sipas Berishës vendimi i marrë nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vjen pasi disa prej tyre preken nga ligji dhe humbasin postin që kanë. Duke iu referuar bisedimeve e takimeve të ditëve të fundit, kreu i maxhorancës, theksoi se qeveria ra dakord me institucionet ndërkombëtare për të gjetur modalitetet që kjo Gjykatë të dalë fillimisht jashtë konfliktit të interesit dhe më pas të shprehej. Por pas vendimit të marrë dje, duket se këto negociata kanë ngelur vetëm në tentativë. Në fund ai bëri të ditur se shumica nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për zbatimin e një ligji Lustracioni. “A mundet që kjo maxhorancë, e cila lindi si një përballje gjigante me diktaturën dhe krimet e saj monstruoze, të tërhiqet dhe të heqë dorë nga dënimi i krimeve kundër njerëzimit? Kurrë jo! Përkundrazi, këto që ndodhin dëshmojnë se ky proces është jetik”, theksoi më tej kreu i qeverisë. në të njëjtën kohë ai akuzoi edhe kryetarin e PS-së, Edi Rama se po mbron krimet e komunizmit, megjithëse, sipas Berishës, në një miting në vitin 1990 ai kërkoi varjen e të gjithë komitetit qendror të partisë së punës.

Leskaj: Berisha të heshtë kur flasin institucionet kushtetuese
Partia Socialiste reagoi dje menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e “Dosjeve” dhe deklaratave të kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit të deputetëve demokratë. Kryetarja e grupit të PS, Valentina Leskaj, nëpërmjet mediave i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të respektojë institucionet dhe të heqë dorë nga presionet. “Berisha të heshtë kur flasin institucionet e pavarura. Të heqë dorë nga përbaltja që u bën institucioneve, pasi shteti ligjor nuk fitohet duke luftuar institucionet”, tha Leskaj duke iu referuar akuzave që bëri po sot kryeministri Berisha në adresë të anëtarëve të Kushtetueses. PS u tregua e gatshme për të punuar rreth ligjit të dosjeve. Leskaj tha se socialistët janë gati të punojnë për një projekt kushtetues sa u përket dosjeve.

Leskaj: Kushtetuesja me PS si tel me gjemba
“Nga martesa e një pjese të Gjykatës Kushtetuese me Partinë Socialiste “del një gardh me gjemba”, ashtu siç shprehet Kadare në një roman serioz të periudhës së diktaturës, ku shkruante se “nga martesa e një iriqi me gjarprin del një tel me gjemba”. Gjykata Kushtetuese për fat të keq të sajin iu bashkua lëvizjes me PS-në, iu nënshtrua PS-së dhe kjo është tragjike”.

Bumçi: Mbetjet e PP bllokuan ligjin
Ky ligj që ne kaluam, që u kundërshtua nga PS dhe sot mori vulën nga mbetjet e Partisë së Punës në Gjykatën Kushtetuese, nuk ishte për shoqërinë shqiptare, por për ne, klasën politike dhe vendimmarrësit. Ky moral i shoqërisë sonë nuk mund të gozhdohet nga mbetjet e PS-së, ku edhe Edi Rama është peng i së kaluarës, pasi ne jemi forca me integritet politik”.

Majko: Duhet të skuqemi nga vendimi
“Në qoftë se edhe Komisioni i Venecias ka të infiltruar komunistë kjo është një histori tjetër. Sot ju këtu të dashur kolegë, dhe ne të gjithë bashkë, duhet të skuqemi. Ligji nuk është ligj për të dënuar, është ligj për të hequr nga puna ca që kanë mbetur pa dalë në pension dhe për të pastruar ca që i kanë nxjerrë probleme qeverisë në sistemin e drejtësisë. Ky pra është ligji i Lustracionit”.

Meta: Për ju, Berisha është  ligji dhe Maliqi
“Sot u godit Kushtetuesja, pasi mori një vendim që nuk i pëlqen Kryeministrit Berisha. Maxhoranca asnjëherë nuk ka pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke filluar që me vendimin e marrë për ish-ushtarakët. Kjo për shkak se për ju Saliu është ligji dhe Maliqi. Por duhet ta dini se ka perënduar koha, kur një njeri si Sali Berisha mund të bënte çfarë të donte”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›