Foshnjat, nga 2 marsi nis vaksina “HIB” për meningjitin
Më 2 mars do të nisë programi i ri kombëtar i vaksinimit për fëmijët e porsalindur. Vaksina “HIB” për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes e meningjitit do të aplikohen në të gjithë territorin e vendit. Burime nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se tashmë gjithçka është gati për të vënë në jetë projektin e rëndësishëm. Fëmijët do të marrin vaksinën në 3 doza. E para merret në moshën 2 muajsh, e dyta kur fëmija mbush 4 muajsh dhe e treta në moshën 6 muajsh. Pas aplikimit të këtyre dozave, të vegjlit nuk kanë më nevojë për rivaksinim. Sipas specialistëve të ISHP, vaksina “HIB” është e efektshme në 95% të fëmijëve, çka do të thotë që pothuajse të gjithë janë të mbrojtur prej sëmundjeve të rënda respiratore. Tek ne ky grup sëmundjesh zë vendin e parë si shkaktar i vdekshmërisë foshnjore, që është edhe më e larta në të gjithë Evropën. Çdo vit minimalisht diagnostikohen rreth 800 raste të tilla, ndërkohë që humbin jetën rreth 80 prej tyre. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin grupmoshave nga 1-5 vjeç, ndërsa nga meningjiti preken edhe fëmijë më të rritur. Kjo sëmundje e rrezikshme lë pasoja të rënda për shëndetin e fëmijëve edhe në rastet kur ata mbijetojnë prej saj. Një e treta e fëmijëve, pas prekjes nga meningjitit, paraqesin çrregullime të vazhdueshme, si paraliza, vonesë në zhvillimin mendor, shurdhëri apo çrregullime të të mësuarit. Duke njohur peshën specifike që ka sëmundja në vdekshmërinë foshnjore dhe impaktin ekonomik të trajtimit, shumë vende të botës kanë këmbëngulur për të futur vaksinën e “HIB” në programet e tyre të vaksinimit. Por vetëm një e treta e vendeve në zhvillim kanë arritur ta bëjnë atë pjesë të kalendarit të vaksinimit. Vaksina “HIB” është ndër më të rëndësishmet për parandalimin e vdekshmërisë foshnjore. Aplikimi i saj, sipas specialistëve, do të ndikojë në zbutjen e shifrave për këtë sëmundje.
Strategjia e Vaksinimit
Aplikimi i vaksinës së HIB në fillim të vitit 2009 Kontrolli i Hepatitit B në moshat 18 vjeç Testimi i grave shtatzëna për hepatitet virale. Ndërtimi i strategjisë Kombëtare të Kontrollit të Hepatiteve. Aplikimi i vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012. Futja e vaksinës pemumokoksike në vitin 2010.