E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, opozita: Po dështojnë

 

BLEDAR HOTI

Opozita e cilëson si të dështuar procesin e pajisjes me kartat e identitetit, duke aluduar edhe për heqje personash nga lista e zgjedhësve. Maxhoranca është mbrojtur në Kuvend me faktin se procesi është duke ecur normalisht. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe gjatë diskutimit të tij në seancën e mbrëmshme deklaroi se “në Qarkun e Beratit mungojnë 10 mijë shtetas që nuk figurojnë në listën e njerëzve që duhet të pajisen me karta të identitetit”. Kundrejt qëndrimit të opozitës reagoi zv/kryeministri Genc Pollo, i cili tha se “i bëj thirrje socialistëve që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos njollosin procesin e kartave të identitetit, kaq të rëndësishëm për vendin”. Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi se procesi do të nisë në të gjitha qytetet kryesore të vendit brenda muajit shkurt. “Deri më tani në Tiranë kanë aplikuar 100 mijë shtetas”, theksoi Nishani. Kreu i LSI-së, Meta deklaroi se “për shkak të vonesave në pajisjet me karta, zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik për shkak të konsensusit politik PS-PD”. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj riparaqiti kërkesën për ngritjen e komisionit të përbashkët për monitorimin e procesit të pajisjes me karta të identitetit. “Ka një muaj që ende shtetasit shqiptarë nuk janë pajisur me karta identiteti. Kjo tregon se procesi është komprometues. Opozita kërkon ngritjen e komisionit të posaçëm për monitorimin e procesit. Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi deklaroi se “maxhoranca është pro, por duhet të ketë një bashkëkryesim të këtij komisioni, si pjesë e eksperiencave të mëparshme, që kanë qenë në ngritjen e komisioneve konsensuale”.

Peng votat e studentëve

Komisioni parlamentar i Ligjeve nuk ka ende një konsensus politik për mënyrën e kalimit të nenit 14 të p/ligjit “Për gjendjen civile”. Gjatë shqyrtimit të këtij drafti, kryekomisioneri i Ligjeve, Ilir Rusmali bëri të ditur se nuk është arritur një konsensus, duke kërkuar që të lihet e hapur diskutimi dhe puna të vazhdonte me miratimin e neneve të tjera. Sipas Rusmalit neni 14 që parashikon regjistrimin e shtetasve si studentë dhe ushtarakë pranë qendrave të përkohshme do të ndahet në disa pjesë. PS është kundër variantit të qeverisë dhe kërkon riformulim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›