E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton listat e kandidatëve të KZAZ-ve të PD e LSI

Kandidatët janë paraqitur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që Partia Socialiste dhe partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, nuk i kanë paraqitur ende listat.

Dita e sotme ishte afati i fundit për partitë politike që të paraqisnin në KQZ listat për kandidatët e tyre në KZAZ për zgjedhjet vendore të 8 majit. Sipas një vendimi të miratuar më parë, KQZ ka përcaktuar partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të KZAZ-së.

Kështu, PD dhe PS kanë të drejtë të paraqesin secila propozime për dy anëtarë të KZAZ-së, ndërsa LSI dhe PBDNJ kanë të drejtë të paraqesin secila propozim për një anëtar të KZAZ-së.

Gjatë mbledhjes së sotme përfaqësues të administratës së KQZ-së, informuan se PD i ka plotësuar të gjitha vendet që i takojnë në të 66 KZAZ-të në shkallë vendi, ndërsa LSI ka paraqitur kandidatë për 21 KZAZ, për të cilat është i plotë dokumentacioni, ndërsa po kryhet verifikimi për kandidaturat për 45 KZAZ-të e tjera. Administrata e KQZ-së i është drejtuar zyrtarisht PS-së dhe PBDNJ-së për të sjellë emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.

                                                                                             2011-02-07 21:28
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›