E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton rezultatet e Fierit, nuk hapen kutitë

KQZ ka miratuar tabelat përmbledhëse për qarkun e Fierit cka do të thotë se kutitë prej nga PS pretendon marrjen e një mandati nuk do të numërohen nëse PS nuk bën ankimim pranë KQZ-së. Mledhja është shoqëruar me debate. 

TIRANE- Mes debatesh të shumta Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në mbledhjen e sotme tabelat përmbledhëse të qarkut të Fierit, duke i mohuar kështu Partisë Socialiste mandatin e nëntë të pretenduar në këtë qark.
Me 4 vota pro dhe 3 kundër KQZ nuk ka pranuar kërkesën e socialistëve për të numëruar 6 KZAZ-të e Fierit.
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, mbrojti idenë e numërimit të votave në KQZ për disa kuti votimi të qarkut të Fierit. Duke iu referuar vendimit të pak ditëve më parë të Komisionit për numërimin e 6 kutive të Fushë-Kuqes, të qarkut të Lezhës, Subashi u shpreh se kundërshtimi për të numëruar kutitë e Fierit në KQZ do të thotë se "komisioni po punon me dy standarde".
"Në mënyrë që KQZ të përllogarisë shpërndarjen e mandateve në zonën zgjedhore mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që kanë marrë subjektet në nivel zone zgjedhor, duhet të numërojë dhe fletët e votimit për 6 QV-të e Fierit. Në këtë rast KQZ po mban dy standarde", theksoi Subashi.
Ndërsa sipas kryetarit të Komisionit, Arben Ristani sitata me kutitë e Lezhës nuk ishte e njëjtë me ato të Fierit.
" Situata në Lezhë ishte e tillë që njerëz të paautorizuar kishin hyrë brenda VNV-së, ndërsa të tjerë që ishin jashtë po krijonin presion duke shkelur rendin, ndaj për ta zgjidhur këtë situatë ne ndërhymë në kohë duke i marrrë këtu kutitë e votimit dhe duke vendosur bashkarisht t'i numërojmë në KQZ. Ne kemi marrë vendim dhe iu kemi thënë kemi që të plotësoni tabelën përmbledhëse të rezultatit, të cilën ata e kanë kryer duke marrë vendim. Duke qënë se në Fier ka një vendimmarrje, ligji thotë se ajo ankimohet së bashku me tabelën përmbledhëse të rezultatit, në KQZ. Pra, këtu nuk ka dy standarte, rastet nuk qëndrojnë dhe nuk ngjajnë me njëri-tjetrin dhe ne jemi duke bërë një vendimmarrje korrekte, proceduriale dhe ligjore", theksoi Ristani.
(e.n/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›