E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton tabelën për Këshillin Bashkiak

TIRANE- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar me 4 vota pro dhe 2 kundër tabelën përmbledhëse për këshillin bashkiak të Bashkisë së Tiranës.

Në mbledhjen e pasdites e cila zgjati për rreth 60 minuta, pati debate mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës lidhur me tabelën përmbledhëse dhe votat e përfshira në të.

Përfaqësuesit e opozitës pretenduan për mospërputhje shifrash në tabelë, por KQZ shpjegoi se ky ishte një gabim njerëzor.

Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, tabela përmbledhëse është hartuar duke marrë tabelat e KZAZ-ve të grupeve të numërimit,  duke ju shtuar ketyre, votat sipas vendimit 709 dhe votat sipas vendimit 1158.

Pas këtij vendimi, KQZ do të presë edhe kohën e ankimimit që kanë në dispozicion subjektet politike dhe më pas do të precedojë me shpërndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak. Një proces i tillë kërkon shumicë të cilësuar prej 5 votash nga anëtarët e KQZ-së.

Në bazë të votave të marra, Aleanca për qytetarin merr 28 këshilltarë dhe Aleanca për të ardhmen 27 këshilltarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›