E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ujërat tona do të lejohen anije me flamuj të BE-së për transport të brendshëm

30/06/2011  Qeveria i propozon Kuvendit miratimin e ndryshimeve në Kodin Detar

Tashmë në portet shqiptare, transporti brendshëm detar do të zhvillohet jo vetëm nga mjetet lundruese shqiptare, por edhe ato të huaja. Kështu, mjetet lundruese me flamur shqiptar si dhe ato me flamur të një shteti të BE-së mund të kenë pikënisje dhe destinacion të brendshëm në çdo port shqiptar e të huaj kur plotësojnë kërkesat ligjore. Po kështu mjetet lundruese me flamur të huaj, me përjashtim të atyre me flamur shqiptar, apo të ndonjë vendi të BE-së do të lundrojnë vetëm ndërmjet një porti shqiptar dhe atij të huaj. Janë këto propozimet për ndryshimin e ligjit nr. 9251 “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë” që Këshilli i Ministrave i adreson Kuvendit për miratim. Gjithashtu qeveria u kërkon deputetëve që të miratojnë dhe ndryshimin e pikës 1 të nenit 136 të Kodit Detar, ku propozohet që “kapiteni i anijes shqiptare duhet të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë ose i një shteti të BE-së”. Ndryshimi i këtij ligji është vazhdim i plotësimit të të gjithë kuadrit ligjor kombëtar në përputhje me atë ndërkombëtar për lehtësimin e zhvillimit harmonik dhe të rregullt në fushën e detarisë. Arsyet kryesore të propozimit për ndryshimin e ligjit nr. 9251, datë 8.07.2003 “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë” e kanë zanafillën te raporti i Këshillit të Europës për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, i cili shprehet: “Legjislacioni i Shqipërisë për transportin detar është në përputhje me rregullat e BE-së, por ka nevojë për disa rregullime. Këto rregullime kanë të bëjnë me mundësinë e zgjerimit të gamës së anijeve me flamurë të shteteve europiane në fushën e transportit të brendshëm, i cili është rezervuar për anijet me flamur kombëtar shqiptar.” Në relacionin e saj qeveria thekson se ndryshimet në këtë ligj janë shumë të rëndësishme në plotësimin e MSA-së si dhe në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian dhe se nuk kërkojnë shpenzime financiare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›