E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha me FLE, konsensus qytetar në Tiranë

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, shprehet kundër personalizimit të fushatave, veçanërisht garës në zgjedhjet vendore. Fondacioni për Liri Ekonomike zhvilloi dje një bisedë të lirë me kandidatin Basha rreth fushatave elektorale, programeve, ideologjisë dhe rolit të medias. Duke folur në këtë takim, Basha u ndal veçanërisht në ofertën politike dhe personalizimin e fushatave. Sipas tij, personalizimi i fushatës është diçka boshe, e cila nuk ka të ardhme, që mund të sjellë edhe kolaps. Basha u shpreh se kërkon të zbatojë një formulë të re të konsensusit qytetar në Tiranë, e ngjashme me vendimmarrjen me vendet perëndimore. “Duke qenë i sinqertë e i vendosur në ofertën që bëj në qytetin e Tiranës për formulën e konsensusit, nuk ka sesi të mos jem kundër personalizimit, që është diçka boshe, e përkohshme, një zgjatje e një serumi që nuk kuron, por merret me simptomën për aq kohë derisa trupi t’i japë kolpo dhe sistemi të vdesë dhe të na çojë në kolaps. Sepse nuk ka garanci që mund të mbajnë muret e ekonomisë, sistemi social etj. Duket si një përpjekje për të zëvendësuar kinematografinë, me soap operat braziliane apo meksikane. Jam tërësisht kundër kësaj dhe një ndërgjegjësim drejt kësaj do të sjellë ofertat e vërteta, sepse qyteti është i etur për këto oferta”, tha Basha. Kandidati i djathtë për Bashkinë e Tiranë u shpreh se veçanërisht në garat lokale, personalizimi i fushatës dhe lënia pas dore e ofertave programore të kandidatëve është e dëmshme. Duke u shprehur kundër kësaj qasje, ai tha se i beson sistemit ku është rritur akademikisht. “Personalizimi nuk është fenomen pozitiv, por është negativ, veçanërisht në kontekstin e garave lokale, në besimin tim personal, duke pasur parasysh edukimin tim në një vend europian. Jam rritur akademikisht në një vend ku konsensusi qytetar është shtylla e vendimmarrjes, në Vendet e Ulëta. Aty nuk ka qeveri me më pak se 4 parti, që prej 60 vitesh. Kjo është forma më e mirë, veçanërisht kur udhëhiqet nga liberalët”, tha Basha. Në një studim të bërë nga studiuesit e Fondacionit për Liri Ekonomike rreth fenomenit të personalizimit në politikë, si fenomen në Shqipëri, dhe lënia pas dore e ideologjisë dhe programit, Basha u shpreh se sistemi duhet përmirësuar. “Demokracia na jep çdo 4 vjet shansin të zgjedhim mes ofertave. Po a janë ofertat e transmetuara në mënyrë të barabartë tek ata që duhet të zgjedhin me votë? Më përpara ishte e mjaftueshme të flisje në miting dhe të jepje ofertën aty. Sa më shumë njerëz në miting dhe ky ishte indikatori, sepse kështu do të përcillej. Me ardhjen e mediave u zëvendësua kjo formë komunikimi dhe ata që e kuptuan që në fillim, u investuan fort jo vetëm në dhënien e mesazhit, por edhe në manipulimin e këtyre forumeve në favorin e tyre. Këtu nis deformimi, sipas meje. Natyrisht nuk kemi një diktaturë me aparat shtypës, por kemi një pamundësi reale të shpalosjes së ofertave dhe bilanceve ku të bazohet kredibiliteti i ofertës. Veberi vërtet e sheh karizmën si burim legjitimiti, por është elementi i tretë apo i katërt dhe më pak i rëndësishëm dhe karizma ka lidhje me besimin. Është pikërisht ndërlidhja e karizmës së vërtetë apo të projektuar nga instrumente për ta amplifikuar këtë, që janë mediat, që çon në deformim total të ofertës. Kjo është e padrejtë. Pra, e gjithë demokracia është reduktuar në këtë situatë dhe kjo është një vendimmarrje e deformuar”, shtoi kandidati Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›