Lezhë, policët rrahin të burgosurit
Fatos Mahmutaj
Forcat e grupit të gatshëm të burgut të Lezhës dyshohet se kanë rrahur të dënuarit që u përfshinë në grindjen masive të 10 shtatorit në këtë burg. Një ekip specialistësh, mes të cilëve edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit, kanë monitoruar situatën një ditë pas ngjarjes së rëndë dhe kanë ekzaminuar gjashtë të paraburgosur shkodranë, të cilët u përfshinë në grindjen me gjashtë të paraburgosur mirditorë paraditen e 10 shtatorit. Pas përfundimit të ekzaminimit që u është bërë të dënuarve, është konstatuar se veç dhunës që dy grupet e të arrestuarve i kanë dhënë njëri-tjetrit, siç dyshohet nga raporti i specialistëve, ata janë rrahur barbarisht nga policia me shkopinj gome dhe shkelma.
Zhduken imazhet filmike
Edhe pse në pamjet filmime që i janë vënë në dispozicion ekipit monitorues, nuk është vërejtur dhunë policore, kanë qenë fakte të tjera të mbledhura nga ekspertët ato që kanë vërtetuar rrahjen policore të gjashtë të paraburgosurve shkodranë: Pëllumb Kolbuçaj, Sokol Shkambi, Altin Logu, Gjergj Pëllumbi dhe dy vëllezërve Sokol dhe Dashamir Prroni. Sipas ekipit të monitorimit, të gjithë të paraburgosurit e ekzaminuar janë pyetur për arsyet e grindjes dhe për shkaqet e plagëve të shumta dhe dëmtimeve të tjera që u janë vërejtur nëpër trup. Veç të tjerash, ekipi monitorues ka mësuar se gjithë sherret ishin nxitur nga punonjës të policisë së burgut, të cilët për më tepër, pas grindjes janë keqtrajtuar nga grupi i gatshëm, duke u rrahur me grushte, shkelma dhe shkopinj gome. Në raportin që ekipi monitorues ka përpiluar pas vizitës në burg, përmend faktin se ka takuar edhe drejtorin e institucionit Valentin Miri, të cilit i janë kërkuar disa shpjegime më tepër rreth ngjarjes, nisur pas informacioneve që ishin mbledhur gjatë ekzaminimit të të burgosurve. Pas kërkesës së paraqitur drejtorit të burgut nga ekipi monitorues, Miri i ka lejuar të këqyrnin filmimet e kamerave të sigurisë, që ruheshin deri në tre ditë. Pas kësaj, ekipi monitorues ka kërkuar që filmimet që kishin lidhje me ngjarjen të ruheshin dhe krahas kësaj të sigurohej një mundësi për të pyetur disa prej policëve prej të cilëve mendohet se mund të sqarohen disa anë të paqarta të ngjarjes së dhunshme.
"Hetimi" i dhunës
Pas pyetjes së policëve dhe dokumentimit të gjithçka rreth ngjarjes, ekipi monitorues ka bërë në disa raste edhe foto të dëmtimeve trupore dhe fotokopje të dokumenteve të regjistrave të shërbimit që kanë vlerësuar si të përshtatshme për zbardhjen e ngjarjes. Sipas ekipit monitorues, dëmtimet e konstatuara në trupat e të paraburgosurve të ekzaminuar vlejnë për t'u konsideruar si prova materiale të mjaftueshme në vërtetimin e faktit se ndaj tyre është ushtruar dhunë. Në raportin e mjekëve ligjorë thuhet se shumica e shenjave të dhunës janë shkaktuar nga goditje me shkop gome, i cili lë gjurmë të dallueshme në trup, ndryshe nga goditja me mjete të tjera të cilat nuk kanë qenë në dispozicion të të burgosurve. Por këto dëmtime, presupozohet të kenë një karakter të dyfishtë nga që mendohet se kanë ardhur jo vetëm nga grindjet e dhunshme që kanë ndodhur midis vetë të paraburgosurve po edhe nga rrahjet me shkop gome, grushte dhe shkelma që ka ushtruar grupi i gatshëm i policisë së burgut ndaj tyre pas shuarjes së grindjes në fushën e ajrimit.
Sherri masiv pas rrahjes së "mikut"
LEZHE - Sipas burimeve nga burgu ngjarja e rëndë ka zënë fill një ditë më parë, pasditen e 9 shtatorit. Një i dënuar nga Mirdita, që mbahej në qelitë e katit të tretë, në sektorin ku ndodhet paraburgimi, shkon të takojë një të njohur të tij në paraburgim. Pasi qëndron rreth dy orë në qelitë e paraburgimit ai niset për të shkuar në qelinë, por sapo del në korridor, nga dera e hapur e sheh një i paraburgosur nga Shkodra, dikur i dënuar dhe që ishte grindur me mirditorin në qeli tre vjet më parë. në këtë moment ai del në korridor së bashku me shokët e qelisë dhe rrahin mirditorin. Ditën tjetër, ndërsa dalin në ajrim, grupi i shkodranëve sulmohet nga të paraburgosurit e qelisë që kishte vizituar mirditori, të cilët akuzonin për "prerje në besë" për faktin se u kishin goditur pabesisht mikun. Dhuna në fushën e ajrimit ka kaluar përmasat e një grindjeje të zakonshme, ndërsa ka bërë që të ndërhynin policët specialë të burgut për të qetësuar situatën. f.m.