Prekja e dritës
Ekziston gjithmonë një botë
tjetër përtej asaj që sheh,
jeton dhe kupton: një botë me
njerëz dhe qytete të ndrit
shëm, të cilët brenda një dite mund të të bëjnë të famshëm ose të të zhdukin. Ajo botë është e ndryshme nga jotja dhe njëherësh e mistershme, tunduese...
Çfarë ndodh atje ku nuk mundem të jem?
Kontakti i parë... aeroporti... vendi më i hapur i tokës... Aty ndërrohen njëri me tjetrin biznesmenë, politikanë, kryetarë shtetesh, mitet dhe idhujt e njerëzimit, qindra-mijëra njerëz nga i gjithë globi. Njerëzit e të gjitha shteteve, racave, profesioneve, përherë të nxituar në atë kalim të përditshëm njëri nga tjetri. Erërat më të forta të planetit Tokë përplasen aty, ikjet, ardhjet, pritjet, përcjelljet.
Është ora 18:30. Muaji dhjetor. Më duhet të lë kontinentin amerikan përtej oqeanit. Udhëtoj drejt Milanos. Ndalesa e fundit është Tirana. Afrohet mbrëmja. Ka shumë gjallëri rreth meje, shumë jetë që lëviz e gjitha në kahje të ndryshme, Azi, Afrikë, Europë. Shumë fluturime drejt hapësirës qiellore për të mbërritur diku, për të prekur të panjohurën, ose më thjesht akoma, për të shkuar në shtëpi... atje ku gjithmonë ke një vend, të presin dhe të duan. Edhe unë si ata pres të afrohem... edhe pak minuta kanë mbetur nga fluturimi.
Aeroporti është vendi ku gjithmonë fluturon diçka dhe ti nuk mundesh ta kthesh...
sepse në fluturimin e kthimit ai do të jetë tjetër gjë... dhe ti do ta takosh ndryshe...
Në sallën e pritjes së një aeroporti ndihet zhurma, ritmi, mikrofonët mbi kokë përcjellin thatë dhe ftohtë zërin automatik si zëri i ndonjë fati robot: Aeroplani për Paris, Toronto, Londër... niset pas pesë minutash.
Dhe ngrihen grupe udhëtarësh fundosur në fjalë e vështrime të fundit, nxitojnë me bagazhin e dorës si të ndëshkuar drejt hapësirës së qiellit të zbrazët. Gjithë planeti Tokë të ngjan me një aeroport, i hapur për të gjitha erërat, ku çdo udhëtar pas lajmërimit fluturon përgjithmonë.
Jam nisur. Toka është zhdukur në të qindtën e sekondës, sa hap e mbyll sytë. Jam mes resh dhe oqeanit. Në dritaren e avionit janë mbledhur disa thërrmija akulli, më ngjajnë paksa me qelqet e thyera të një kaleidoskopi që ndërrojnë ngjyrat sa herë rrotullohen. Po fluturojmë në lartësinë 12 mijë metra, është koha më se e përshtatshme për të qëndruar me veten. Pasagjerët flenë, disa shohin televizor, të tjerë panikmëdhenj zbrazin njëra pas tjetrës shishet e verës së kuqe ose të bardhë. Këtu nuk ka preferencë, mjaft të jesh në gjendje të kontrollosh frikën e lartësisë.
Ndihem shumë mirë dhe çuditshëm njëherësh, nuk kam mundur asnjëherë t’i kem kaq pranë retë dhe qiellin. Sapo zbardhën yjet. Një natë dimri që arrin t’i shkëpusë nga qielli për t’i sjellë në dritaren e thërrmuar nga copëzat e akullta që vazhdojnë të ngrijnë. Është një rrugë pa fund, por që të sjell qetësi. I jam falur pushtetit të lartësisë, fluturimit, natës. Nuk më mungojnë njerëz, sende, ngjarje. Janë me mua. Jam pjesë e hapësirës dhe hapësira është imja. Është një situatë që më çon drejt paqes.
Dritat e kuqe në hartën përballë meje njoftojnë vendndodhjen e fluturimit. Edhe pak, shumë pak do të jem pjesë e një kufiri të çuditshëm të dritës dhe errësirës. Kohët do të ndryshojnë shumë shpejt dhe unë po pres të ndodhë fenomeni natyror i mrekullueshëm. Kam dëgjuar shumë, por nuk kam patur fatin të jem pjesë e tij. Në lartësinë qiellore ndihem e plotë, e pushtetshme, pranë kohës së paemër. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por kam një moment harrese ndaj asaj që ndodh përtej këtij fluturimi, në tokë, te njerëzit, ngjarjet, sendet e atjeshme. Sa të largët të gjithë, sa të vegjël në gjithë sa duan, çfarë duan dhe sa arrijnë të kenë. Këtu nuk kam as të shkuar, as të ardhme, nuk dua të ngacmoj asnjë ëndërr, ky moment ka reflektimin brenda vetes. Jam në lartësinë e ëndërruar, krejtësisht e gatshme për ndërrimin e kohëve. Orët po afrohen dhe unë jam pranë agimit.
Dy agime përgjatë 24 orëve...
Një sekondë apo një minutë, unë nuk mundem ta llogaris këtë, më sjell agimin, ndërsa nga ana tjetër shoh ende qiellin dhe errësirën.
Atëherë bëhem e vetëdijshme se qenkan kaq pranë njëra-tjetrës drita dhe errësira, mund të ndodhë t’i fitosh të dyja në të njëjtën kohë. Është agimi i dytë brenda 24 orëve të një ditë-nate.
Është diçka që ngjan me një prerje të artë për të treguar fundin dhe fillimin, ndërsa është një vazhdimësi në hapësirë, asgjë e jashtëzakonshme, vetëm një kohë e llogaritur sipas meridianit që zbulon çastin dhe ta ofron me shumë thjeshtësi.
Ndihem irreale nga gjithë sa shoh rreth meje. Nuk e kuptoj si mund të flenë të tjerët në këtë ndërrim kohe, si ia lejojnë vetes të jenë jashtë çudisë së momentit në këtë fluturim Nju Jork - Milano.
Fasha e parë e dritës ngulmon të shkrijë thërrmijat e akullta në dritaren time. I shoh si bien pak nga pak. Tani po ndjek ngjyrat që reflektohen nga përthyerja e dritës, një fashë portokalli, një e verdhë, pastaj blu, lejla, e kuqe...
Më pëlqen që po gjej ende fenomene që më çudisin. Po jetoj prekjen e dritës.
Dimension
Rrugë që ecin të gjitha pa gjetur pikat e takimit. Rrugë paralele, të kundërta, simetrike, herë-herë trajta të paforma, pa fillime dhe funde çudisin vetë dimensionin. Ku kanë shkuar rregullsitë? Ka mbetur vetëm hapësira pa kahje, që thërret dëshpërimisht ndërtimin. A mund të ndërtohet hapësira, a mund të gjendet në këtë formacion të patrajtëzuar liria? Apo kjo është liria, paforma, parregulli, pakahja? E di se ekzistojnë kaq shumë njerëz që tundohen nga kjo formë e patrajtëzuar, di se jo rrallë e kërkojnë t’u ndodhë, ashtu si edhe kanë frikë ta kenë. Çfarë ka pas qiellit, më pyetën dje... “Ëndrra” thashë me vete.
Janë humbur rrugët. Ka vetëm hapësira të pajetuara.
21 Shtator 2009