KQZ nis kontrollin e parave të partive
Sot hidhet shorti për përcaktimin e ekspertëve që do të auditojnë të ardhurat dhe shpenzimet e partive për fushatë
Ekspertët kontabël do të bëjnë verifikimin e fondeve që persona të ndryshëm u kanë dhuruar 36 partive
Të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pavarësisht rezultatit që korrën në këtë garë, duhet të bëjnë tashmë transparencën e të ardhurave dhe shpenzimeve që kryen në funksion të fushatës zgjedhore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në ditën e fundit që i lejon Kodi Zgjedhor, ka vendosur që të hapë sot shortin për përzgjedhjen e ekspertëve kontabël të licencuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën elektorale.
Bëhet fjalë për rreth 65 ekspertë të kësaj fushe, të cilët kanë shfaqur interes për t'u bërë pjesë e procesit të auditimit të 36 subjekteve zgjedhore, të cilat morën pjesë në zgjedhje.
Auditimi
Çdo subjekt zgjedhor, në bazë të Kodit Zgjedhor, ka patur mundësi që për qëllime të fushatës së tyre të marrë fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas (partitë parlamentare kanë përfituar një shumë të konsiderueshme lekësh edhe nga buxheti i shtetit).
Në çdo rast, shuma që një person fizik ose juridik ka patur mundësi t'i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të ketë qenë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime, ndërsa ka qenë e ndaluar dhënia e fondeve nga personat që kanë përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, ushtron veprimtari në fushën e medies, apo ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme.
Pikërisht zbatimi i këtyre kritereve ligjore do të jenë objekt i punës së ekspertëve, të cilët pritet të miratohen sot prej institucionit qendror të administrimit të zgjedhjeve.
Për këtë qëllim, çdo subjekt zgjedhor është i detyruar t'i vërë në dispozicion regjistrin e posaçëm me shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit.
Verifikimi i shumave të marra nga personat që kanë dhuruar më shumë se 100 mijë lekë të rinj është edhe më i lehtë për t'u verifikuar nga ekspertët përkatës, pasi për të gjitha këto raste veprimet janë bërë nëpërmjet numrave të llogarive bankare që partitë politike kanë publikuar edhe në faqen zyrtare të KQZ-së.
Duhet thënë se shuma të tilla duket se kanë përfituar vetëm 4 parti, PD-ja, PS-ja, LSI-ja dhe G99-a, të cilat dhe kanë ekspozuar në faqen e internetit të KQZ-së numrat e tyre të llogarisë.
Por puna e këtyre ekspertëve nuk do të mjaftohet me kaq, pasi ata kanë për detyrë që të verifikojnë edhe shpenzimet e kryera nga partitë dhe kandidatët në fushatë. Kodi Zgjedhor përcakton në këtë drejtim se një subjekt zgjedhor nuk mund të shpenzojë më shumë se 10-fishin e fondit të përfituar nga Buxheti i Shtetit, një rregull ky që nuk duket se është zbatuar nga partitë politike.
Për të gjitha veprimet dhe verifikimet e kryera në funksion të këtij procesi, eksperti përgatit një raport auditivi, të cilin ia paraqet KQZ-së dhe në të nuk mund të përfshihen vetëm të dhënat personale të dhuruesve nën vlerën e 100 mijë lekëve.
KQZ-ja më pas mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, ku mund të përfshihet pyetja e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrja e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.
Shorti
KQZ-ja, në bazë të Kodit Zgjedhor dhe udhëzimit të miratuar prej vetë asaj disa muaj më parë, do të emërojë për çdo subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhje ekspertin kontabël të autorizuar për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara.
Ajo përzgjedh një listë prej jo më pak se 20 ekspertë kontabël të licencuar nga lista e parashikuar prej 65 ekspertësh që kanë shprehur interes pranë saj, duke respektuar disa kritere të veçanta, me anë të të cilave synohet të shmanget kryesisht konflikti i tyre interesit.
Kështu, në përzgjedhjen dhe emërimin e një eksperti kontabël për auditimin e fondeve të një subjekti të caktuar zgjedhor, do të merret parasysh fakti që ai të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit, të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse dhe të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
Pas këtij verifikimi, KQZ-ja do të procedojë me shortin, ku në një enë transparente futen aq gogla sa është edhe numri i ekspertëve pjesëmarrës në short dhe përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore do të tërheqin secili me radhë nga një të tillë.
Kriteret që duhet të plotësojnë ekspertët kontabël
KQZ-ja përzgjedh një listë prej jo më pak se 20 ekspertësh kontabël të licencuar nga lista e parashikuar në pikën 1 të këtij neni.
Ekspertët kontabël të licencuar, të cilët do të përzgjidhen sipas nenit 3 të këtij udhëzimi, përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit të përcaktuara në kapitullin 2, të Vendimit të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e rregullave për organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të licencuar, duhet të plotësojnë edhe kriteret e mëposhtme:
Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licencuar për jo më pak se 5 vjet;
Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël;
Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse;
Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.